Botimet Living prezantojnë librin “Një vit jetë si danezët: sekretet e vendit ku jetojnë njerëzit më të lumtur në botë”, nga Helen Russell! Një gërshetim i bukur mes humorit anglez dhe pragmatizmit danez
Pasi i jepet mundësia për të jetuar në rajonin e Jutlandit, gazetarja dhe anglezja tipike Helen Russell zbulon një statistikë befasuese: vendi më i lumtur në botë nuk është “Disneyland”-i, por Danimarka, një vend që shpesh është cilësuar si toka e dimrave të gjatë dhe të errët, harengave, Legove dhe ëmbëlsirave.
Por cili është sekreti i lumturisë dhe suksesit të tyre? Danez i lumtur lind apo bëhesh? Helena mendon se ka vetëm një mënyrë për ta mësuar: të jetojë një vit mes danezëve dhe të përpiqet të zbulojë formulën magjike të lumturisë së tyre.
“Një vit jetë si danezët” shpalos për lexuesit në mbarë botën traditat dhe kulturën aq të veçantë daneze, që nga kujdesi për fëmijët, arsimi, ushqimi, arredimi i shtëpive dhe taksat, të gjitha këto të shoqëruara me një humor të hollë, që përvijohet në të gjithë librin. Gjithashtu, qëllimi i tij është të tregojë se të gjithë ne mund të jemi më të mirë dhe të jetojmë më të lumtur, nëse marrim pak nga mënyra e jetesës së danezëve.
PËR AUTOREN
Helen Russell është gazetare, spikere dhe ish-redaktore e revistës online “MarieClaire.co.uk”. Ajo jeton në zonën rurale të Jutlandit dhe punon si korrespondente për gazetën “The Guardian”, shkruan për Danimarkën në gazetën “The Telegraph” dhe mban fjalime në të gjithë botën për lumturinë, ndryshimin dhe fillimet e reja. “Një vit jetë si danezët” është libri i saj i parë, por tanimë ajo po punon për librin e dytë. Ndiqeni atë në Twitter në adresën @MsHelenRussell.