Botimet Living prezantojnë romanin “Alper Kamy” nga Alper Canigüz
Të jesh a të mos jesh “Në moshën pesëvjeçare, njeriu është më i pjekur, mandej nis bjerrja. Unë, Alper Kamy, para do muajsh, kapërceva në vitin tim të pestë. Teksa më afrohej ditëlindja, pjesën më të madhe të kohës e kaloja ndanë dritares, duke parë njerëzit jashtë, që jetonin, ecnin ngadalë e me nxitim, duke nxjerrë turlifarë zërash apo duke hedhur sytë andej-këtej. Më sëmurte ideja se një ditë, do të bëhesha edhe unë si ata. Sa keq që nuk kishte shpëtim prej asaj gjëje! Koha ishte e pamëshirshme dhe unë po plakesha shpejt. Hëpërhë, e vetmja gjë e mirë ishte që të paktën nuk shkoja në kopsht. Në fakt, isha rrekur gjatë që t’u shpjegoja nënës e babait se kopshti nuk ishte vend për mua. Mundohesha t’i bindja me arsyetime, por, fatkeqësisht, në fillim asgjë nuk ia vlejti. Për këtë, duhej të vija në zbatim mënyra të tjera, si: të zgjohesha nga gjumi i tëri në djersë ose të kaloja një krizë të vockël nervore kur minibusi të ndalonte para portës. Sa poshtëruese ishin! Ato e bënin njeriun t’i vinte turp edhe nga vetja.”
ALPER CANIGÜZ, me një gjuhë të gjallë dhe tërheqëse, rrëfen historinë e një pesëvjeçari filozof dhe çamarrok, i cili, me avantazhin që i jep mosha, hyn e del nga çdo vend, duke i dhënë frymën e tij atmosferës së lagjes që rrethon atë si personazh kryesor dhe subjektin e romanit. “Alper Kamy” është një vepër e përkorë, që gërsheton me mjeshtëri të pashoqe letërsinë policeske, fantastike dhe atë humoristike.