Po mundoheni për të sjellë në jetë një fëmijë, si të kuptoni nëse trupi juaj është gati për një shtatzëni



Le të supozojmë se jeni gati, si nga ana emocionale, ashtu edhe ajo financiare. Tani është koha të mësojmë nëse edhe trupi juaj është gati për fazën që e pret. Nuk është e thënë që për të pasur një fëmijë duhet të jeni në formë ideale, por nëse gëzoni shëndet të mirë, edhe shtatzënia ka premisa që të shkojë mirë. Si ta kuptoni që trupi është gati për një shtatzëni? A ju ka dhënë mjeku dritën jeshile? Para se të mbeteni shtatzënë, lini një takim me mjekun tuaj obstetër-gjinekolog, mjekun e familjes, infermieren, maminë ose me ndonjë mjek tjetër, i cili do t’ju udhëzojë përgjatë shtatzënisë. Falë kësaj vizite, ju dhe ai do të keni mundësi të identifikoni rreziqet e mundshme të shtatzënisë, si dhe të gjeni mënyrat e duhura për t’I pakësuar sa më shumë ato. Mundohuni ta bindni partnerin që t’ju shoqërojë në vizitën mjekësore para se të mbeteni shtatzënë. Gjatë kësaj vizite, mund të diskutoni disa nga temat e mëposhtme:

Kontraceptivët: nëse keni përdorur tableta për parandalimin e shtatzënisë, mjeku do t’ju rekomandojë t’i ndërprisni ato para se të përpiqeni të mbeteni shtatzënë. Kjo do të bëjë të mundur që sistemi riprodhues t’i nënshtrohet disa cikleve të zakonshme. Për pasojë, do të jetë më e lehtë të përcaktohet se kur ka ndodhur ovulimi dhe cila është data e përafërt që mund të mbeteni shtatzënë. Ndërkohë që do të ndërprisni marrjen e tabletave, mund të përdorni prezervativë ose ndonjë mënyrë tjetër parandaluese. Dy javë pasi të keni hequr dorë nga përdorimi i kontraceptivëve, fertiliteti juaj do të kthehet në normalitet.

Imunizimi: infeksione si lija e dhenve (varicela), fruthi gjerman (rubeola) dhe hepatiti B, mund të jenë të rrezikshme për foshnjën që nuk ka ardhur ende në jetë. Në rastet kur përpjekjet për imunizim nuk janë të plota ose kur nuk jeni të sigurta nëse jeni imune ndaj infeksioneve të ndryshme, mund të bëni një ose disa vaksina, të paktën një muaj para se të provoni të mbeteni shtatzënë.

Sëmundjet kronike: Në rast se vuani nga ndonjë sëmundje kronike, si: diabeti, astma apo tensioni i lartë, e mira është që para se të mbeteni shtatzënë, të siguroheni se sëmundja është nën kontroll. Në disa raste, mjeku mund t’ju këshillojë t’i përshtatni mjekimet apo trajtimet e tjera para shtatzënisë. Madje, ju mund të diskutoni me të edhe për ndonjë trajtim të veçantë, për të cilin mund të keni nevojë gjatë shtatzënisë.

Infeksionet seksualisht të transmetueshme: infeksionet që mbarten në rrugë seksuale, mund të rrisin rreziqet e infertilitetit, shtatzënisë ektopike, ku veza e fekonduar ngjitet jashtë mitrës, në gypin e Fallopit, dhe të ndërlikimeve të tjera gjatë shtatzënisë. Në këto raste, mjeku mund t’ju rekomandojë që para se të mbeteni shtatzënë, t’i nënshtroheni një ekzaminimi të plotë dhe të merrni mjekimin e duhur.

Informacioni i mësipërm është shkëputur nga libri “Udhërrëfyes për një shtatzëni të shëndetshme” i sjellë në shqip nga BOTIMET LIVING.

 

Librin e gjeni në çdo pikë shitje e librari të qytetit ku jetoni ose mund ta blini online KËTU. Për çdo porosi mund të na shkruani gjithashtu në profilet tona zyrtare në Facebook apo Instagram dhe libri ju vjen në shtëpi pa asnjë kosto shtesë.