Në lindje të Edenit; paralelizmi me Librin e Zanafillës dhe mesazhet e forta që përcjell nobelisti Steinbeck



Botuar për herë të parë në vitin 1952, romani “Në lindje të Edenit”, nga nobelisti amerikan John Steinbeck ka pushtuar zemrat e lexuesve në mbarë botën për vite me radhë dhe tani vjen për lexuesin shqiptar nga Botimet Living

PËR AUTORIN
John Steinbeck 1902-1968 John Steinbeck është një ndër figurat më të njohura të letërsisë amerikane dhe asaj mbarëbotërore. Ai ka fituar çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1962 dhe është cilësuar si “gjiganti i letrave amerikane”. Shumë nga veprat e tij konsiderohen si klasikët e letërsisë.

Gjatë karrierës së tij letrare ai shkroi 27 libra, përfshirë 16 romane, gjashtë libra realistë dhe dy përmbledhje me tregime e novela. Në vitin 1939 ai u vlerësua me çmimin Pulitzer për librin “Vilet e zemërimit” (ardhur në shqip në vitin 2005, me shqipërim nga Petro Zheji). Vepra e tij e parë është “Kupa e artë” botuar në vitin 1929, por suksesi i tij i parë erdhi me veprën “Tortilla Flat”, 1935. Vepra të tjera të rëndësishme janë “Njerëz dhe minj” (ardhur në shqip në vitin 2003, me shqipërim nga Fredi Proko), “In Dubious Battle”, “Travels with Charlie” etj. Pjesa më e madhe e krijimtarisë së këtij autori paraqet jetën në Kaliforninë Qendrore, kryesisht në Luginën e Salinasit dhe trajton në mënyrë të veçantë temën e fatit dhe të padrejtësisë.

NË LINDJE TË EDENIT
Romani “Në lindje të Edenit” u botua për here të parë në vitin 1952 dhe është një roman ambicioz, njëherazi një sagë familjare dhe një ritregim modern i Zanafillës. Në ditarin e tij, Steinbeck e ka cilësuar atë si librin e tij të parë të vërtetë dhe nuk ka dyshim që ky libër mbart fuqinë fillestare dhe thjeshtësinë e një miti. Ngjarjet zhvillohen në Luginën e Salinasit, në Kaliforni dhe romani ndjek dhe zbulon jetën dhe fatet e dy familjeve: Tresk dhe Hemillton, brezat e të cilave duket sikur risjellin në skenë rënien e Adamit dhe të Evës dhe rivalitetin e hidhur të Kainit dhe Abelit. Shumë është folur dhe shkruar për paralelizmin që autori i ka bërë në vepër Librit të Zanafillës, nga Bibla, e sidomos historisë së Kainit dhe Abelit.

Edhe titulli i veprës ka marrë shkas pikërisht nga historia e dy djemve të Adamit dhe të Evës. Personazhe që i mbijetojnë çdo kohe me tematikat e tyre: identitete të mistershme, dashuri të pashpjegueshme dhe pasoja vdekatare prej mungesës së dashurisë.

Sipas gruas së tij të tretë dhe të fundit, Steinbeck e konsideronte këtë roman si magnum opus-in e tij. “Sipas meje, gjithçka tjetër që kam shkruar para këtij libri, ka qenë praktikë për të arritur në këtë pikë”, – është shprehur autori. Libri trajton gjerësisht temat e dashurisë, humbjes, mungesës së diçkaje madhore në jetë, si edhe përpjekjet e pafundme për t’u ndier i pranuar nga të tjerët.

KURIOZITETE:

1.John Steinbeck kishte në mendje disa tituj para se përfundimisht ta titullonte këtë roman “Në lindje të Edenit”.
* Lugina e Salinasit
* Lugina ime
* Lugina ndanë detit
* Shenja e Kainit
2.Kur e pyetën Steinbeck-un nëse e meritonte apo jo çmimin Nobel, ai u përgjigj: “T’ju them të drejtën, nuk mendoj se e meritoja”. Në të vërtetë, çmimi ngjalli shumë polemika në kohën e tij.
3.Shkrimtarët e preferuar të tij janë Ernest Heminguej dhe Uilliam Folkner.
4.Pjesa më e madhe e veprave të John Steinbeck janë pjesë e kurrikulave të shkollave të mesme amerikane.