Botimet Living dhurojnë 540 libra për bibliotekat e Tiranës
“Miq të mirë, libra të mirë dhe një ndërgjegje e qetë: kjo është jeta ideale.” Mund të shtoni elementë të tjerë, por a nuk mendoni se pa këto të trija jeta do të ishte e zbrazët? Kjo është një thënie e Mark Twain, por sot në Ditën Ndërkombëtare të Librit, duam që këtë ta besojnë gjithnjë e më shumë njerëz! Ndoshta ekranet, teknologjia na ka larguar paksa nga libri, por në Living besojmë fort se ai ka qenë historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive! Me qëllimin për të afruar sa më shumë të rinj drejt dijes e leximit, Botimet Living vendosën të ndërmerrnin një nismë me premtimin se do e kthejnë në traditë.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Librit, Botimet Living dhuruan plot 540 libra për 3 biblioteka në Tiranë, në njesinë 6, 8 dhe 11. U zgjodhën pikërisht këto biblioteka pasi nevoja për t’u pasuruar me libra ishte më e lartë. Botimet Living e kanë kryer më së miri këtë mision, ndaj jemi të bindur prania e titujve tanë në këto biblioteka është forma e duhur për të nxitur leximin tek moshat e reja, por jo vetëm.
A nuk është ky lajmi më i bukur që mund të merrnit këtë ditë?