Botimet Living prezantojnë librin “Luanët e Sicilisë” nga Stefania Auci.
Me të zbarkuar në Palermo nga Banjara Kalabreze, në vitin 1799, Floriot synojnë të jenë më të pasurit dhe më të fuqishmit. Vëllezërit Paolo dhe Injacio e shndërrojnë biznesin e tyre në më të mirin e qytetit, blejnë shtëpi, toka dhe krijojnë shoqërinë e tyre të lundrimit. Kur Vinçenco, i biri i Paolos, merr në dorë drejtimin e “Shtëpisë Florio”, hovi s’ka të ndalur: në kantinat “Florio”, një verë varfanjakësh shndërrohet në nektar të denjë për tryezën e një mbreti.
Ndërkaq, Palermo vështron e habitur arritjet e Floriove, por krenaria zbehet prej smirës dhe përçmimit të të tjerëve: ata burra të suksesshëm mbeten sidoqoftë “të huaj”. Palermo nuk e di se pikërisht dëshira e ethshme për të pasur një vend të denjë në shoqëri, qëndron në themel të ambicies së Floriove dhe shënjon, për mirë apo për keq, jetën e tyre. Burrat e kësaj familjeje janë njerëz të jashtëzakonshëm, por njëkohësisht të brishtë, ndonëse nuk e pranojnë, dhe kanë nevojë të kenë pranë gra po aq të jashtëzakonshme, siç është Xhuzepina, bashkëshortja e Paolos, e cila sakrifikon gjithçka, madje edhe dashurinë, për ta mbajtur familjen të bashkuar, apo Xhulia, vajza milaneze që hyn rrëmbyeshëm në jetën e Vinçencos dhe shndërrohet për të në një port të sigurt, në një shkëmb të pacenueshëm.