Botimet Living prezantojnë librin më të ri “Vajza e Tifanisë” nga autorja bestseller Deeanne Gist.
Në një kohë kur Amerika zien nga përgatitjet për Panairin Botëror të vitit 1893, i cili organizohet në Çikago, trashëgimtari i perandorisë së bizhuterive, Luis Tifani, përfiton nga rasti për të prezantuar një kishëz me xhama me mozaikë, që bota nuk e ka parë asnjëherë. Kur ëndrra e tij kërcënohet nga greva e xhampunuesve, vetëm disa muaj para panairit, ai detyrohet të bëjë një zgjedhje të pazakontë: punëson vajzat e shkollës së vizatimit të aplikuar në Nju Jork.
E etur për aventurë, Flosi Xhejn shpërngulet në një bujtinë dhe bëhet pjesë e “vajzave të Tifanisë”. Ajo është një vajzë e re,plot hire, e cila përfaqëson edhe brezin e grave moderne, në një kohë kur shumica e seksit të dobët qëndron në shtëpi dhe kujdeset vetëm për burrin dhe fëmijët. Shumë shpejt, Flosi do të mësojë se bota nuk është ende gati t’i mirëpresë gratë e pavarura e, kësisoj, nuk do ta ketë të lehtë të bëjë emër në botën e artit.
Përveç sfidave të pafundme, ambiciet e saj do të kërcënohen edhe nga një element tjetër i rrezikshëm: zemra e saj. Kush do të triumfojë: objektivat e saj apo ndjenjat për fqinjin në bujtinë?