Botimet Living prezantojnë librin më të ri “Premtimi i Krishtlindjes”, një histori dashurie nga mjeshtri i librave për festa, nga Richard Paul Evans!
Elisa Dutoni i friket përjetimit të festave të fundvitit. Para tri vitesh, mësoi se i shoqi e tradhtonte me shoqen e saj të ngushtë. Pas divorcit, ajo mbeti e vetme, trokë dhe e mbushur me pasiguri për jetën.
Një ditë nëntori, i afrohet një i panjohur. Në të vërtetë, jo edhe aq i panjohur, sepse ajo e kishte parë edhe më herët në godinën ku punonte, por nuk ishin takuar asnjëherë. Ai i bën Elisës një propozim: për tetë javët në vijim – deri në vigjiljen e Krishtlindjes – ata duhet të shtiren sikur janë çift. Gjithashtu, i panjohuri ka përpiluar edhe një kontratë:
- Nuk lejohen pyetjet shumë personale.
- Nuk lejohen skenat.
- Askush nuk duhet ta dijë të vërtetën.
- Kontrata përfundon në vigjilje të Krishtlindjes.
Elisa e vetmuar habitet edhe vetë kur e pranon propozimin e tij. Me kalimin e ditëve, siguria e marrëdhënies së tyre të shtirur duket sikur i shëron pak nga pak plagët e saj, por sapo ajo mendon se ka rigjetur lumturinë, sekreti më i madh i jetës së saj do të dalë në dritë, duke ia rrezikuar atë. Por ndoshta, Elisa nuk endet e vetme në botën e errët të sekreteve të ruajtura në skutat më të thella të mendjes.