Botimet Living prezantojnë librin më të ri “Fustani i nuses”, historia e katër grave të dashuruara, që lidhen nga një fustan njëqindvjeçar.
Sharlota ka një dyqan modern me fustane nusërie në Birmingam. Talenti dhe pasioni i saj më i madh është të përgatitë nuset për ditën e tyre më të lumtur, por, me afrimin e ditës së dasmës së saj, përse vallë nuk po gjen dot fustanin e përsosur për vete dhe nuk ndihet e sigurt për t’u martuar me Timin?
Në një ankand, Sharlota blen një sënduk të vjetër, brenda të cilit gjen një fustan nusërie. Ai duket si i ri, perlat i shkëlqejnë dhe stili i tij nuk njeh kohë. Nga ka ardhur vallë? Kush e ka veshur më parë? Kush e saldoi drynin dhe futi pllakëzat e identifikimit në çantëzën e mëndafshtë? Kush e la në bodrum për një vajzë dhjetëvjeçare? Cili ishte burri misterioz me këmishë vjollcë, që këmbëngulte se fustani ishte “shitur”?
Kërkimi i Sharlotës për rrënjët e atij fustani, nisi si një dëshirë për t’u shpërqendruar nga jeta e saj sentimentale. Nuk kaloi shumë dhe ajo u njoh me femrat që e kishin veshur atë: Emilia në vitin 1912, Meri Grejsi në vitin 1939 dhe Hillari në vitin 1968. Secila prej tyre ka historinë e saj me dhimbje dhe premtime, si dhe diçka të veçantë për të treguar. Ai fustan përrallor njëqindvjeçar ruan të vërtetën për trashëgiminë e Sharlotës, fuqinë, kurajën, besimin dhe për dashurinë e vërtetë.
Katër nuse, një fustan… Një histori besimi dhe dashurie e përjetshme