Sofia Amoruso, Themeluese dhe presidente e kompanisë NASTY GAL
“Një #GIRLBOSS merr në dorë frerët e jetës së vet. Ajo arrin gjithçka që do, se punon për këtë qëllim”.
Gjëja e parë që Sofia Amoruso shiti në internet nuk ishte ndonjë tendencë e modës së fundit, por një libër i vjedhur. Ajo e kaloi adoleshencën duke udhëtuar me makina të rastësishme, duke kryer vjedhje të vogla e duke rrëmuar nëpër kazanë mbeturinash. Në moshën 22-vjeçare ajo kishte hequr dorë nga shpresa për t’u punësuar, ishte pa asnjë kacidhe, pa ditur se ku po shkonte dhe kishte pranuar të bënte një punë të çfarëdoshme vetëm për të përfituar sigurimet shëndetësore.
Në këtë kohë Sofia vendosi të nisë shitjen e rrobave “vintage” në eBay. Sot, tetë vjet më vonë, ajo është themeluesja, presidentja dhe drejtoresha artistike e Nasty Gal-it, një portal mode prej 100 milionë dollarësh me mbi 350 të punësuar. Sofia nuk është një drejtoreshë ekzekutive tipike, në fakt, ajo s’është stereotip për asgjë dhe e shkroi këtë libër për të gjithë ata që kërkojnë një rrugë unike drejt suksesit, edhe kur ajo rrugë ka gjarpërime të panumërta dhe është e mbushur me njerëz pesimistë.
#GIRLBOSS rrëfen historinë e Sofias, një histori sa thellësisht personale, aq edhe universale. I mbushur me ndodhi që të sjellin në vete (“Ti nuk je aq e veçantë”), vërejtje sa të prera, aq edhe dredharake (“Dështimi është shpikja jote”), apo me histori nga prapaskenat e rritjes meteorike të Nasty Gal-it, #GIRLBOSS përfshin një gamë të gjerë aspektesh. Libri përbën një provë se të qenët i suksesshëm nuk ka të bëjë me popullaritetin që ke pasur në gjimnaz apo me universitetin ku ke studiuar (gjithmonë nëse i ke ndjekur studimet). Për të qenë i suksesshëm, duhet t`u besosh instinkteve vetjake dhe të mendosh me vendosmëri, duke qenë i vetëdijshëm se ç’rregulla duhen zbatuar e ç’rregulla duhen shkelur.
“Hirushja e teknologjisë” – New York Times
Sofia Amoruso është po aq e pazakontë sa rrugëtimi rekord i Nasty Gal-it. Harrojeni reputacionin që “Silicon Valley” ka si financuese e njerëzve problematikë për t’u përshtatur si vegjetariani Steve Jobs, i kequshqyeri Marc Andreesen apo i çuditshmi Mark Zuckerberg. Këta problematikë kanë ngjashmëri mes tyre, por Amoruso jo… Nasty Gal-i është hendeku mes izolimit të plotë dhe bashkësisë, në të cilin jetojnë korpusi i madh i vajzave që duan të ndjekin mendimet personale, por gjithashtu të pranohen nga shoqëria dhe të jenë moderne.” – PandoDaily
Sofia Amoruso i qëndron besnike vizionit të saj për të frymëzuar dhe për të marrë frymëzim nga vajzat moderne. – Elle: “Ones to Watch: 11 femra që mund të ndryshojnë botën.”
Fenomeni i ri i modës. – Forbes
Sofia Amoruso po ndërton një perandori mode – “The cut” e New York Magazine