Shantaram – 2


Autori:
Gregory David Roberts
Zhanri:
Biografi / Autobiografi / Kujtime
Çmimi:
1700 lekë, (13.13 €)
Bli tani
Paguaj me: Kartë krediti PayPal

Botimet Living prezantojnë vëllimin e dytë të romanit “Shantaram”, një vepër madhështore nga Gregory David Roberts.

“Vetëm pas një kohe të gjatë e pasi shëtita botën mbarë, arrita të mësoja se ç’është dashuria, fati dhe zgjedhjet që bëjmë në jetë. Ama, për të kuptuar thelbin e vërtetë të këtyre gjërave, më mjaftoi vetëm një çast, pikërisht atëherë kur më kishin lidhur me zinxhirë pas një muri e po më torturonin.”

Kështu fillon kjo histori magjepsëse, e cila vjen nga bota kriminale e Bombeit të sotëm. Lini, një i dënuar që arratiset nga një burg i sigurisë së lartë në Australi, përfundon në rrugët gumëzhitëse të një qyteti që i jep mundësinë të bëhet i padukshëm. Ai dhe Prabakeri, udhërrëfyesi dhe miku i tij besnik, depërtojnë në shoqërinë e fshehtë të Bombeit, të mbushur me lypsarë e mafiozë, prostituta e shenjtorë, gangsterë e aktorë, indianë e mërgimtarë, të cilët kërkojnë në këtë vend të mrekullueshëm, atë që nuk mund ta gjejnë gjetkë.

Rrugëtimi i Linit ndërthuret me luftën, burgun, torturat, vrasjet dhe një sërë tradhtish të mistershme e të përgjakshme.

Geto mes flakëve dhe hotele me pesë yje, dashuri romantike dhe vuajtje në burg, beteja mes bandash kriminale dhe filma të Bollivudit, të gjitha këto pasqyrojnë botën dhe eksperiencën njerëzore të përshkruar më së miri në këtë vepër madhështore, e cila ka në zemër dashurinë e zjarrtë për Indinë.

Bazuar në historinë e vërtetë dhe jetën e autorit, ky roman është pa dyshim prezantimi i parë i denjë i një zëri të jashtëzakonshëm në letërsi.

 

Gregory David Roberts

Gregory David Roberts lindi në Melburn, Australi. Gjatë viteve studentore u vlerësua si shkrimtar i talentuar. Pas ndarjes nga bashkëshortja dhe humbjes së kujdestarisë së vajzës, ai krijoi varësi nga heroina. Kreu një sërë grabitjesh me pistoletë dhe i vunë edhe nofkën “Banditi Fisnik”. Pasi u dënua me nëntëmbëdhjetë vjet burg, u arratis dhe udhëtoi në Zelandën e Re, Azi, Afrikë dhe Europë. Gjatë kësaj periudhe, jetoi dhjetë vjet në Bombei, ku hapi një klinikë mjekësore me shërbime falas për banorët e një lagjeje të varfër, dhe punoi si falsifikator, kontrabandist dhe trafikant armësh, duke u bërë anëtar i një bande kriminale të mafies së Bombeit. U kap në Gjermani, ku kreu një pjesë të dënimit, dhe më vonë u ekstradua në Australi. Pasi u lirua nga burgu, themeloi një kompani multimediale të suksesshme. Pas botimit të librit “Shantaram”, Roberts u bë një shkrimtar i njohur ndërkombëtarisht.