Botimet Living prezantojnë librin më të ri "Amelia, vajza që nuk do të ekzistonte" nga shkrimtarja Cathy Gohlke.
NJË LETËR, NJË KËRKESË . . .
Gjatë një vizite në Gjermani, Rakela Krameri merr një letër të mistershme nga një mikeshë e vjetër, me të cilën nuk fliste prej kohësh. E martuar me Gerhard Shlikun, një oficer i SS-ve, Kristina vë re se ngjarjet në Gjermani po marrin një drejtim të paparashikueshëm dhe është e tmerruar, sepse i shoqi e konsideron vajzën e tyre, Amelinë, që ka lindur e shurdhër, një njollë turpi për prejardhjen e tij ariane.
…SHPIE DREJT NJË TË VËRTETE TË ERRËT . . .
Për sa i përket Shlikut, që i ishte vardisur dikur, Rakela është e bindur se ai është po aq i rrezikshëm sa edhe kryqet e thyera që valëviten si merimanga të zeza në çdo ndërtesë qeveritare të Berlinit. Ajo dyshon se dosjet e të atit përmbajnë planet famëkeqe të Hitlerit për asgjësimin e njerëzve, ndër ta edhe Amelinë, të cilët regjimi i gjykon të padenjë për të jetuar. Rakela rrezikon shumë teksa rrëmon në ato dokumente të klasifikuara, ku, më në fund, zbulon sekrete tronditëse për historinë e saj personale dhe për një familje rreth së cilës nuk kishte ditur asgjë deri atë ditë.
…DHE ATA DO TË RREZIKOJNË GJITHÇKA PËR TË HEDHUR DRITË MBI TË
E përndjekur nga forcat SS, Rakela i kërkon ndihmë Xhejson Jangut – një reporter amerikan tërheqës, profesionist kokëfortë, i dhënë pas gazetarisë investigative dhe që u shkon gjërave deri në fund, si dhe një person që ka shumë pak gjasë të bëhet aleat i Rakelës – i cili e lidh atë me Rezistencën dhe Ditrih Bonhoeferin, teologun që kishte hapur shumë polemika. E detyruar të fshihet, çdo ideal i Rakelës vihet në dyshim, ndërsa ajo dhe Xhejsoni ecin në fije të perit, duke rrezikuar jetët e tyre dhe duke iu kërkuar të tjerëve të bëjnë të njëjtën gjë, për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë që nuk i njohin, por i duan.