Botimet Living sjellin librin më të ri “Kallamishte në erë”, një romani i përshkruar nga një frymë lirike që zbut pasionet e fuqishme dhe i kthen ato “në një motiv që gurgullon lirshëm nga buzët e një poeti primitive.
Libri “Kallamishte në erë”, i cili e pa dritën e botimit në vitin 1913, është romani më i lexuar dhe më i përkthyer i autores Deledda. Në Galte, jetojnë damat Pintor, dikur pjesë e aristokracisë çifligare tashmë të rrënuar, të cilat nuk dinë t’i përshtaten shoqërisë që ndryshon, ku tregtarët dhe fajdexhinjtë bëjnë ligjin. Personazhi kryesor i romanit është Efisi, shërbëtori i damave Pintor, i cili kujdeset me mish e me shpirt për mbijetesën e tyre. Pas shumë vitesh, në fshat do të mbërrijë Xhaçintoja, djali i njërës prej motrave, Lias. Ardhja e tij do të tronditë jetët e të gjithëve, por Efisi, me urtinë e tij të përvuajtur, do të përpiqet t’i bëjë ballë rrënimit financiar që do të shkaktojë i riu mendjelehtë, por do të shuhet pikërisht ditën kur Noemi, motra më e vogël e Pintorëve, pasi ka lënë mënjanë krenarinë, martohet me kushëririn pasanik, don Predunë. Romani përshkohet nga një frymë lirike që i zbut pasionet e fuqishme dhe i kthen ato “në një motiv që gurgullon lirshëm nga buzët e një poeti primitiv”, siç shkruan edhe vetë Deledda.
Grazia Deledda (Nuoro 1871 – Romë 1936) debutoi si tregimtare në një revistë periodike mode. Në vitin 1926, mori çmimin “Nobel” në letërsi. Ajo konsiderohet si shkrimtarja e verizmit romantik. Disa nga titujt e saj më të njohur janë: “Elias Portolu”, “Mariana Sirka” dhe “Nëna”.