Botimet Living prezantojnë librin më të ri “Në kuzhinën e Lindës” nga autorja Linda Fishta.
Nga antipastat te pjatat e para, nga mishi te peshku, perimet dhe ëmbëlsirat. 150 receta që do t’ju thjeshtojnë jetën dhe do t’ju bëjnë të ndiheni më mirë.
Pasioni është një ndjenjë që ushqen prirjen e shpesh kjo prirje ushqen njeriun. Kuzhina është pikërisht vendi ku ky pasion merr jetë dhe i bën njerëzit të lumtur. Për mua, gatimi ka qenë prirja më e bukur, e cila e ka zanafillën në pasionin e nënës sime, rilindi tek unë dhe u kthye në dëshirë të pashtershme që në vegjëli. Sa më shumë rritesha, aq më shumë kuptoja se kjo dëshirë nuk më falte lumturi vetëm mua, por edhe njerëzve më të afërt, të cilët provonin gatimet e mia, të bëra me shumë dashuri. Kënaqësia që lexohej në fytyrat e tyre më nxiste të vazhdoja t’i bëja të lumtur duke provuar receta të ndryshme njëra pas tjetrës.
Ishte ajo nxitje që më shtyu të bëhesha pjesë e stafit të “Living” e që më pas rezultoi një nga eksperiencat më përmbushëse dhe frymëzuese të jetës sime. Çdo recetë e gatuar për revistën “Living” apo çdo episod i xhiruar për emisionet e të njëjtit format, më dhanë zemër të botoja librin tim të parë “200 Receta”. Me dëshirën që të vazhdoj t’i bëj njerëzit të lumtur dhe t’i ndihmoj ata të lumturojnë të dashurit e tyre, vendosa të botoj edhe këtë libër të dytë, “Në kuzhinën e Lindës”.
Me dashuri,
Linda Fishta