Xhon Alite në Tiranë; Bashkëpunëtori i Gotit tregon historinë me kriminalitetin dhe jetën e tij sot



Nga Etleva Çepele

“Rregullat e Gotit; historia e John Alite”, vetë titulli i librit botuar nga Botimet Living, na lë të kuptojmë se ngjarjet do të tregohen kryesisht nga këndvështrimi unik i Xhon Alites, shqiptarit dhe bashkëpunëtorit më të ngushtë të Xhunior Gotit në organizatën kriminale Gambino, i cili më pas do të dëshmonte në gjyq kundër tij. Sot, Xhon Alite është në Tirnaë, kjo është arsyeja pse po sjellim sërish hisotrinë e tij, treguar nga ai vetë për Living.
Deri më sot, askush tjetër nuk ka dhënë detaje të tilla personale për Gotët, por me ndihmën e Alites dhe dokumenteve ekskluzive të FBI-së, Anastasia na ndihmon të shohim më nga afër “legjendën” e familjes Goti dhe makinacionet fitimprurëse, por shpesh vdekjeprurëse të tyre. “Rregullat e Gotit; historia e John Alite”, sjell të dhëna të padëgjuara kurrë më parë, mbi vrasjet, trafikun e drogës dhe zhvatjet e pafundme të kryera me urdhër të Xhon Gotit e më pas, të djalit të tij, Xhunior Gotit.

Pasi vendosi të bashkëpunonte me drejtësinë, Alite u dënua me 10 vjet burg dhe u lirua në vitin 2013, prej të cilit vazhdon të jetojë në Nju Jork, por një pjesë të kohës edhe në Nju Xhersi, bashkë me familjen e tij. Ne menduam t’i merrnim atij një intervistë ekskluzive për Living, për të njohur disi më nga afër shqiptarin, i cili nuk mundi të bëhej “zyrtarisht” një anëtar i organizatës kriminale, sepse ishte shqiptar dhe jo italian, por njëherazi për të ditur sesi ndihet ai sot, si një njeri i lirë dhe i shkëputur tërësisht nga jeta e rrugës.

Nga cili vend i Shqipërisë është origjina e familjes suaj dhe a keni qenë ndonjëherë atje?

Familja ime është me origjinë nga Tirana dhe Gjirokastra. Po, kam ardhur në Shqipëri dhe kam ndenjur gjashtë muaj në total aty, gjatë viteve 2002-2003.

Ju flisni shqip?
Unë kuptoj shqip dhe gjithashtu flas pak, por jo rrjedhshëm.

Si ka qenë fëmijëria juaj?
Që në moshën trevjeçare kam filluar të stërvitesha në boks dhe bejsboll. Arsimimi nuk ishte prioritet në familjen time. Rëndësi kishte të ishe i zoti të mbijetoje në rrugë. Zona ku unë jetoja, Udhevën, njihej me nofkën “parajsa e vdekjeve”, për shkak të vrasjeve të shumta që ndodhnin atje. Asokohe, nuk kishte shumë shqiptarë në atë zonë. Gjendja nëpër shkolla nuk ishte e mirë, sepse kishte shumë dhunë. Babai im ishte taksist, gjyshi ka qenë kuzhinier në një prej restoranteve të aeroportit. Mua më tërhiqte shumë sporti. Të gjithë më njihnin si djalin guximtar. Isha trupvogël, por nuk më trembej syri nga asgjë dhe askush. Zihesha shpesh në rrugë, por nuk isha djalë i keq. Ishte e vështirë, shumë prej shokëve të mi u vranë pa u rritur ende mirë.

Cili ishte kontakti juaj i parë me mafien amerikane dhe si e përjetuat atë?
Unë jam rritur mes njerëzve që ishin të përfshirë në mafie dhe erdhi një kohë (në moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare), kur kushërinjtë e mi më prezantuan edhe mua “zyrtarisht” me botën e krimit.

Gjatë kohës që ishit pjesë e familjes më të madhe mafioze në Amerikë dhe punonit për të, si ishte ritmi i jetës suaj? Po gjendja emocionale?
Ishte një jetë e mbushur me rreziqe. Unë kisha shumë pushtet për shkak se isha i dhunshëm, kisha lidhje me familjet e mëdha dhe të gjithë ma kishin frikën. Nga pikëpamja emocionale, ishte një shpërthim adrenaline i vazhdueshëm sepse ne kryenim krime çdo ditë; shkëmbime armësh, vjedhje, tregti droge dhe gjithashtu kishim shumë femra. Unë njihesha kryesisht si “rrugaçi i mirë” sepse mbroja ata që ishin më të dobët dhe nuk kisha mëshirë për të këqijtë.

Nëse ktheheni pas në kohë, cila mendoni se është padrejtësia më e madhe që keni bërë ndaj dikujt dhe cila është padrejtësia më e madhe që është bërë kundrejt jush?
Unë jam penduar për gjithçka që kam bërë në atë kohë, por ajo që më ka mbetur peng në mënyrë të veçantë, është vrasja e Brus Goterapit, sepse i njihja edhe familjen. Mendoj se duhej të kisha ngulur këmbë për ta shmangur atë vrasje, pavarësisht se ai kishte shkaktuar probleme në lokalin ku njerëzit tanë shisnin kokainë.
Padrejtësia më e madhe që është bërë ndaj meje, është marrëveshja që bëri Goti me qeverinë (kohë para se ta bëja unë këtë gjë) dhe fakti që ai u tha të gjithë njerëzve tanë të më braktisnin, në një kohë kur unë endesha burgjeve për vite me radhë për të mbrojtur atë. Nuk e dija që ai kishte vite që më spiunonte fshehurazi. 51 persona dëshmuan kundër meje në gjyqin tim, përfshirë edhe anëtarë të organizatës.

Përse pranuat të bashkëpunonit me drejtësinë? U penduat për krimet e kryera apo e patë këtë si një rrugë të shkurtër për t’i shpëtuar burgut?
Pranova të bashkëpunoja me drejtësinë dhe kundër Gotit, pasi mësova se Goti kishte kohë që më spiunonte. Roni Trukio më kishte fajësuar mua për të gjitha vrasjet dhe avokati i tij kishte paraqitur një deklaratë ku thuhej se ungji dhe babai i tij ishin bosët e rinj të organizatës. Pra, unë deri atëherë isha përpjekur të mbroja njerëz që kishte kohë që më godisnin pas shpine. Deri në atë kohë, unë isha treguar i gatshëm të qëndroja në burgjet braziliane, me kushte të skajshme jetese e për çfarë? Për të mbrojtur të ashtuquajturit miqtë e mi e madje edhe disa armiq, sepse unë besoja në atë jetë dhe në ato rregulla, i zbatoja ato. Por këtë e bëja vetëm unë, jo ata. Nuk jam penduar kurrë që vendosa të bashkëpunoja me drejtësinë, sepse ishin ata që më spiunuan të parët. Ata më vodhën paratë, bindën ish-gruan time, Karolën, të dëshmonte kundër meje. Ata janë burracakë, kanë pasur gjithmonë frikë nga pushteti dhe fuqia ime. Isha unë ai që kisha fuqi në rrugë, jo ata; isha unë ai që kisha njerëz, jo Goti! Ai kishte vetëm një emër, asgjë më shumë. Gjithçka e bëja unë!

A mendoni se në një kohë të jetës suaj, keni qenë vërtet si vëllezër me Xhunior Gotin? Ç’mendoni sot për këtë?
Ai njeri nuk ka qenë kurrë si një vëlla për mua. Këto janë përralla që i kanë sajuar njerëzit. Unë kam qenë vetëm njeriu që vriste e priste për llogari të tyre. Goti plaku më caktoi mua për të ndenjur ditë e natë me të birin dhe dy italianë të tjerë, më shumë për ta mbrojtur Xhuniorin, sepse ai vetë nuk ishte i zoti për asgjë. Madje edhe sot e kësaj dite, ai ka mbetur po ai burracak që ka qenë. Nuk guxon të vijë në lagjen time. Atij i kanë vënë shkelmin nga organizata. Nuk e njeh më kush për ç’ka pretendon se ka qenë. Xhuniori i shan shumë shqiptarët, por është si puna e atij qenit që leh, por nuk kafshon. Ai i lejon femrat e familjes së tij të flasin në medie për mua, por vetë nuk del në skenë. Unë nuk e quaj veten spiun. Unë bashkëpunova për të demaskuar ata njerëz që nuk ua mbajti të më vrisnin, por u sollën si burracakë. Unë kam dokumente që e vërtetojnë këtë. Mbi të gjitha, kam kaluar 20 vjet të jetës sime duke hyrë e duke dalë nëpër burgje, për italianët.

Me se merreni tani?
Unë ndihmoj të rinjtë të rrinë larg jetës së rrugës, organizoj bashkëbisedime për t’i motivuar ata për këtë. Gjithashtu, merrem me ndërtime.

Cila është femra më e rëndësishme e jetës suaj dhe pse?
Femrat më të rëndësishme të jetës sime janë vajza ime, Çelsia dhe motra ime, Denisa. Vajza është rritur me të ëmën e saj. Unë nuk e kisha parë për 12 vjet, qëkurse ajo ishte tetë vjeç. Tani përpiqem të zëvendësoj gjithë kohën e humbur. Motra ime Denisa është mësuese dhe luan një rol të rëndësishëm në edukimin e shumë fëmijëve. Jam krenar për të. Por e rëndësishme tani për mua është edhe terapistja ime, Rozmari, e cila më ndihmon të mos mendoj për dhunën e të mos u bëj keq të tjerëve kur dikush orvatet të më kthejë në rrugën e vjetër.

Ç’do të thotë “familje” për ju?
Fëmijët e mi janë familja ime, janë jeta ime. Jam i kënaqur sepse janë fëmijë të mbarë. Merren me punë dhe me sport. Unë nuk lodhem duke i këshilluar ta duan jetën dhe lirinë, të mos e humbasin lirinë e tyre, ashtu si e humba unë. U them të tregohen të zgjuar dhe ta duan dhe respektojnë vendin e tyre, origjinën e tyre dhe mbi të gjitha, veten e tyre. U them ta nderojnë komunitetin shqiptar.

Kur lexon librin për ju, ndër rreshta, veprimet shpesh tingëllojnë tipike shqiptare. Sa shqiptar e ndjeni veten ju?
Unë kam tatuazh flamurin shqiptar në kurriz, po ashtu kam edhe Skënderbeun. Në kyçin e dorës kam një mbishkrim “Shqipe” dhe sërish flamurin shqiptar, të cilin e kanë bërë tatuazh në të njëjtin vend edhe djemtë e mi dhe kushëriri im, Patsi. Në një prej intervistave që kam dhënë, një gazetar më pyeti nëse kisha dashur ndonjëherë të isha italian, si e vetmja mënyrë për të fituar titullin e bosit në organizatën kriminale. Unë qesha. U thashë se në rrugë, unë isha bosi dhe jam shumë krenar për origjinën time. Po ashtu edhe fëmijët e mi. Gjyshërit e mi bënë që unë të jem krenar për origjinën time. Jam i lumtur që jam shqiptar. I dua shqiptarët, fuqinë dhe besnikërinë e tyre. Ne jemi racë unike! Jam krenar që jam dhe do të jem shqiptar deri në vdekje!

A mendoni të vini sërish në Shqipëri?
Pres me padurim të ritakoj të afërmit e mi dhe vendin tonë, Shqipërinë. Më pëlqen shumë Shqipëria dhe kam ende shumë kushërinj atje. Kam një kushëri që e quajnë Endrit dhe e kam si vëlla. Flasim thuajse çdo ditë. Unë e dua Amerikën dhe mundësitë që ajo të ofron, por nuk e harroj kurrë se kush jam dhe nga vij.

Cili është mesazhi juaj për rininë shqiptare?
Mesazhi im për të rinjtë në Shqipëri është që ta duan jetën, të mos e çojnë dëm atë. Të shkojnë në shkollë, të mos dorëzohen kurrë! I duruari, i fituari! Duke studiuar dhe punuar, mund të bëhen ç’të duan, vetëm kjo është rruga e duhur. Rruga që zgjodha unë në rininë time, ishte e gabuar, e mbushur me vuajtje, dhunë, burgje. Për të mos përmendur të afërmit që humba gjatë kohës që isha larg… Jeta na është dhënë për ta shijuar, jeta e rrugës sjell vetëm dhimbje. Shqiptarët janë të zgjuar, kanë zemër dhe zgjuarsi; përdorini këto për të gjetur rrugën e duhur! I përshëndes të gjithë të rinjtë shqiptarë dhe u them të jenë krenarë që janë shqiptarë e të ndjekin vetëm rrugën e ndershme drejt suksesit! Ju falënderoj që më dhatë mundësinë të shprehesha për publikun shqiptar dhe mezi pres të vij në Shqipëri! Faleminderit!