“Vajza e Pirenejve”, një roman për luftën, lirinë, guximin dhe dashurinë
Nga Xheni Shehaj, lexuese
Romani “Vajza e Pirenejve” është një libër për luftën, lirinë, guximin dhe dashurinë. Ndjenjat më sublime të ndërfutura në vepër, gërshetohen me luftën dhe japin nuanca nga më të larmishmet. Romani nis në formë kujtimesh dhe ndërthuret me dy kohë. Viana Moriak, tashmë e moshuar, e sëmurë me kancer, jeton me të birin Zhylienin në Amerikë. Është pikërisht ajo që hap rrjedhën e kujtimeve me ndihmën e autores, e cila përdor disa elemente për ti gërricur kujtesën personazhit të Vianës. Sënduku është elementi i parë që me brendinë e tij e veçanërisht me fotografinë e një vajze të re, e dërgon Vianën vite më parë, në ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore.
Prag lufte. Gjermania mësyn Francën. Burrat thirren nën armë. Atmosferë elektrizuese.
Viana dhe Izabela Rosinjoli (mbiemri ka kuptimin “bilbil”), janë dy motra të mbetura jetime nga nëna në moshë të vogël. Babai i tyre, Zhylieni pjesëmarrës në Luftën e Parë Botërore, i ndryshuar tërësisht si njeri i heq qafe vajzat duke i dërguar te një grua e cila do të kujdesej për to. Fëmijëria e tyre mbushet me boshllëqe e mungesa. Dy motra të ndryshme thuajse në gjithçka; Viana e qetë, Izabela rebele. Viana e martuar me njeriun që dashuronte, Antuan Moriak dhe nënë e një vajze, Sofias; Izabela 18 vjeçare problematike, e përjashtuar disa herë nga kolegjet ku i ati e kishte regjistruar.
Lufta ka trokitur në mbarë Francën. Është pikërisht ajo që i bashkon motrat. I ati pas përjashtimit të Izabelës nga shkolla, e dërgon tek e motra, në një fshat të vogël ku ajo jetonte me familjen. Antuani është thirrur nën armë. Viana është vetëm me të bijën. Izabela gjatë rrugës nga Parisi për tek shtëpia e së motrës, takon një djalë, Gaeton Bybuanë, komunist i arratisur nga burgu. Dashurohet me të dhe ëndërron që ai ta marrë me vete në luftë. Ai e shoqëron deri tek e motra e lë aty dhe zhduket. Jetesa e dy motrave nën një çati nuk është e qetë. Aq më tepër kur në shtëpinë e tyre vjen të jetojë kapiteni nazist Volfgang Bek. Izabela nuk përmbahet dhe se duron fare faktin që pushtuesit jetojnë me francezët. Karakteri i saj rebel nuk e pranon kurrsesi deklaratën e mareshall Petenit, i cili thekson se Franca u dorëzua. Shkëndijat e para të zemrës së saj luftarake do ndizen më fort kur të dëgjoi në radio fjalimin e gjeneral De Golit, i cili nënvizon se “flaka e rezistencës franceze nuk do të shuhet kurrë”.
Gjithkush në luftë bën aq sa mundet. Viana, natyrë e qetë, e shtruar, familjare, mësuese dhe edukuese e brezit të ri, lufton sipas mënyrës së saj. Ndihmon fëmijët hebrenj të fshihen në jetimore, në kuvende murgeshash. Arrin të shpëtojë nëntëmbëdhjetë hebrenj të vegjël. Kujdeset për disa vite për djalin e shoqes së saj të vdekur duke e birësuar. Arrin të mbajë shtatzaninë e padëshiruar, dhuratë prej përdhunimit nga majori Von Rihter, të rrisë djalin e një nazisti e ta ruaj sekretin e hidhur vetëm që mos t’i shkaktojë vuajtje të birit.
Izabela, rebele, e guximshme, e shkathët. Edhe ajo bën luftën e saj, fillimisht duke shpërndarë trakte, pastaj duke shpëtuar pilotët e forcave aleate (britanikë, kanadezë, amerikanë) që rrëzoheshin prej gjermanëve, duke i kaluar përmes Pirenejve, për t’i kthyer sërish në vendet e tyre nga ku do të nisnin rishtazi bombardimin. Izabela i hyri rrugës së rezistencës krejt papritur, në një ditë të zakonshme. Gaetoni u kishte folur shokëve të tij për të dhe ata e vëzhgonin derisa arritën ta angazhonin fillimisht me shpërndarjen e trakteve. Pjesa e parë e kujtimeve të Vianës mbyllet me largimin e Izabelës për në Paris, ku e prisnin detyra të tjera. Autorja e ngacmon sërish kujtesën e Vianës përmes një zarfi i cili përmban një ftesë që i vjen nga Franca. Vianën e kanë ftuar në një ceremoni përkujtimore në nder të Bilbilit, Zhulieta Zhervezit, që nuk ishte as më pak, as më shumë se Izabela Rosinjoli. Bilbili ishte pseudonimi, ndërsa emri Zhulieta Zhervezi ishte identiteti i falsifikuar.
…
Kështu nis pjesa e dytë e kujtimeve të Vianës, e cila lidhet me aktivitetin e dy motrave në luftë, secila më vete, njëra në kryeqytet, tjetra në fshatin ku jetonte. Viana përjetoi humbje, kërcënime, vdekjen e shoqes së ngushtë dhe vajzës së saj, përjetoi vrasjen e kapiten Bekut (që për hir të së vërtetës sillej mjaft mirë me të), heqjen nga puna si mësuese, përdhunimin nga majori gjerman, humbjen e babait. Izabela nga ana tjetër përjetoi torturat më çnjerëzore, humbjen e disa shokëve, kampin e Ravensbruck-ut, dashurinë e pajetuar me Gaetonin, flijimin e babait për ta shpëtuar.
Personazhet kryesorë të romanit në fakt janë heronjtë e vërtetë në gjithë periudhën e luftës. Lufta si gjendje përfshin thuajse çdo moment të subjektit. Ajo që vërehet nga libri është mënyra se si lufta i ndryshon njerëzit. Lidhjet e gjakut janë të pazgjidhme edhe atëherë kur duket se familjarët nuk shkojnë mirë me njëri – tjetrin: Viana godet me lopatë pas kokë kapiten Bekun, vetëm që ai mos të zbulonte të motrën që fshihej në qilar, i nënshtrohet përdhunimit të majorit vetëm që ai mos t’i bëjë keq fëmijëve të saj; babai i tyre, flijohet vetëm për të shpëtuar të bijën, Izabelën. Në fund ajo që i mbijeton gjithçkaje është dashuria. Dashuria për prindin, edhe kur rrethanat, neglizhenca, e të tjerë faktorë se kanë lënë të jetë i tillë, dashuria për motrën a vëllain, edhe pse nuk shkon shumë mirë me të e shpesh debaton rëndë, dashuria për miqtë, ata të vërtetët, dashuria për lirinë, për atdheun. Romani është himn për dashurinë mes njerëzve të një gjaku. Megjithë pasojat e luftës, urinë, vuajtjet, dhunimet, vdekjet, dashuria arrin të jetojë në zemrat e njerëve të çiltër, të vërtetë.