Të gjithë jemi nga pak Alper Kamy



Ajo ishte një e shtunë e zakonshme me shi. Pas një mëngjesi të vonë, babai u ul të zgjidhte fjalëkryqe, ndërsa nëna nisi të lante rroba. Si gjithë punëtorët e shtresës së mesme, ditët e punës shkonin duke pritur fundjavën, ndërsa fundjava duke pritur ditët e punës e kështu askush nuk do ta kuptonte se, papritur, kishte mbërritur në minutat e fundit të jetës. Fitore e sistemit.”

Fjalë që mund të dalin nga goja e një pesëvjeçari janë këto?! Nëse shkrimtari është ALPER CANIGUZ, është normale (brenda anormales) që këto t’i thotë një fëmijë. Alper Kamy është një fëmijë i tillë, një pesëvjeçar që nuk dëshiron fare të trokasë në botën ku jetojnë të rriturit, ndaj revoltohet duke bërë zë, duke qëmtuar e duke shkatërruar. Po, pesë vjeç, por që i ka kapërcyer që në këtë moshë vështirësitë e jetës. Megjithëse brutaliteti i saj e ka goditur edhe Alperin, ai nuk e lë moshën ta vërë poshtë. Shpesh këmbëngulës, herë memec, pastaj trim e kaluar trimit. Mendoni pak për një libër të tillë; policesk, pak sarkastik, pak fantastik, shumë realist dhe një libër që i bën kritikën shoqërisë; një libër që në çdo faqe të bën të thuash “kjo është vërtet e tepërt”. Alperi mund të kishte lindur në Shqipëri. Kurdo që ta merrni librin për ta lexuar, dijeni se Alper Kamy ju vështron me një buzëqeshje qesëndisëse dhe se mendjen e ka se si të zgjidhë krimin.

Teksa lexoni Caniguz-in do të përfshiheni edhe ju në jetesën e lagjes, filozofi, art, muzikë; por edhe psikologji dhe sistemet e qeverisjes. Ndonjëherë Alperi thotë gjëra që të bëjnë të pyesësh veten. Shkrimtari luan këndshëm me pavetëdijen tonë. Në këtë histori absurde policeske ne kujtojmë atë që nuk e menduam, atë që nuk donim ta mendonim, atë që harruam… kohët kur luanim në lagje. Të lindurit pas viteve 2000 nuk do të më kuptojnë. Po rritet një brez mes kurtheve të hekurit e betonit, që në rastin më të mirë e kanë mendjen te provimi – jo te celulari dhe tableti – dhe që nuk e njeh asfare lojën me shokë. Në këtë “rrjetë” zveniten edhe ëndrrat më të bukura. Po Alperi? Ai është zëri ynë i brendshëm, prurësi i copëzave të jetës që nuk duam të na humbasin. Edhe mendjehollë. Mund të ulemi me të e të flasim për orë të tëra për Niçen. Një fëmijë që në këtë botë rrokopujë ka ndërtuar me sukses botëzën e tij. Një arsye më shumë për të lexuar librin.

Falë mendimeve të Alperit, libri del nga të qenët një roman policesk. Shkrimtari, me një gjuhë të gjallë dhe tërheqëse, rrëfen për ideologjitë dhe sesi këto i bjerrin njerëzit. Erdoani, që sheh vetëm interesin e tij, kërkon të syrgjynosë babain e Alperit sepse ka bindje politike të ndryshme prej tij. Në karakteret e Metin Bilginit me shokë shfaqen padrejtësitë e drejtësisë. Ndërsa Onur Çallëshkani del si një njeri që detyrohet të ndjekë pikë për pikë urdhrat e eprorit sepse duhet të ruajë vendin e tij të punës.

Që ta kuptoni, ky roman nuk është për të qeshur. Në çdo pjesë të tij do të gjeni Shekspirin, Kafkën, Bodlerin, Goldingun, Zhyl Vernin dhe Niçen, çka e bën romanin gjithëpërfshirës. Edhe fjalia hapëse e librit “Mosha pesëvjeçare është mosha më e pjekur e njeriut; mandej nis bjerrja”, na bie mbi krye me tërë peshën e saj.

Por sado Niçe që të lexojë dhe Shostakoviç të dëgjojë, Alperi shëtit me pistoletë lodër, bëhet telef duke luajtur futboll me shokët, kur thotë “Zoti lart në qiell” i vjen ndër mend xha Hasani një kat më sipër, dhe si çdo fëmijë bëhet pajtues i nënës dhe babait kur zihen. Ndaj nuk bëjmë dot pa e dashur Alperin.

Kush do ta lexojë këtë libër nuk do të thotë assesi “e ç’ë”, por do të gjejë një vepër të përkorë që gërsheton me mjeshtëri të pashoqe letërsinë policeske, fantastike dhe atë humoristike dhe do të njohë një nga detektivët më të çuditshëm të historisë së letërsisë.

Se mos harroj; “të gjithë librat shkruhen për të mbushur faqet”. E mësova nga Alper Kamy… Ose ai nga unë. Në fund të fundit, të gjithë jemi nga pak Alper Kamy.