“Pushteti i të heshturve” fuqia e introvertëve në një botë që nuk pushon së foluri; Libri që duhet dhuruar patjetër
Ky libër socio-psikologjik, si fillim qartëson konceptet introvert dhe ekstrovert, pastaj thekson se si ekstrovertët ngrihen në qiell nga shoqëria, teksa introverted nuk shikohen si njerëz që kanë natyrën e personalitetin e tyre unik, por si njerëz me probleme, që shoqëria përpiqet t’i “ndihmojë” të bëhen ekstrovertë. Dhuna që ekstrovertët dhe një shoqëri që bazohet tek ekstroversioni si element suksesi, ushtron ndaj introvertëve, është një nga format më të përhapura të bullizmit që hasen sot në shoqëri, duke qenë se introverted përbëjnë jo pak, por gati gjysmën e popullsisë. Shpesh, introvertët shtiren si ekstrovertë në një shoqëri ekstronormative, njësoj si homoseksualët që shtiren si heteroseksualë në një shoqëri heteronormative.
Mendje si ajo e autores Susan Cain janë një bekim. Ajo e përkthen në fjalë aq bukur gjithçka që unë si introvert e miliona introvertë në botë kemi ndier thellë brenda vetes, por nuk dinim se çfarë emri t’i vinim. Sidomos pasi lexova këtë libër, kuptova se të pranosh natyrën tënde introverte është jetike për vetëbesimin. Ky libër ama, ka një specifikë, krejt ndryshe nga librat e tjerë të kësaj natyre, përfshirë ata letrarë. Fuqinë e vërtetë “Pushteti i të heshturve” e ka nëse atë e lexojnë “bullistët” që u kanë nxirë jetën introvertëve, jo vetë introvertët. Besoj se të gjithë introvertët kanë arritur natyrshëm e instinktivisht në rezultatet në të cilat Susan Cain ka arritur në librin e saj, ndonëse ata ndoshta nuk dine t’i shprehin kaq bukur sa autorja këto koncepte. Për këtë arsye, ata nuk kanë nevojë të lexojnë këtë libër aq sa kanë nevojë të “detyrojnë” ata përreth tyre ta lexojnë. Urgjentisht madje. Këta bullistë as që e dinë se janë të tillë dhe të kudondodhur. Në shkollë, si mësues apo shok klase. Në shtëpi, si vëllai apo prindi. Po libri mund t’u këshillohet edhe njerëzve që nuk ndihen mirë që janë introvertë, për të kuptuar se vlejnë dhe se nuk duhet të kenë pikëpyetje për butësinë, mirësinë apo njerëzillëkun e tyre.
Prandaj, në këtë numër të revistës “Living” do të sugjeroja që rubrika të quhej “Libra që ata që ke përreth duhet t’i lexojnë patjetër” dhe jo “Libra që ti duhet t’i lexosh patjetër”. Do t’ia nis nga vetja. Këta janë njerëzit të cilëve do t’u këshillojë ta lexojnë librin “Pushteti i të heshturve”:
MAMAJA IME:
Introversioni im ka qenë një burim i jashtëzakonshëm stresi në fëmijëri, por, sigurisht, atëherë nuk e dija këtë. Vetëm tani e kuptoj. Kur isha i vogël, më pëlqente të kaloja shumë kohë në shtëpi, duke lexuar. Kur nuk lexoja, prisja figura nga librat e përrallave e ato figura i ngjisja nëpër blloqe dhe me personazhet krijoja përralla të reja. Ndonjëherë ama më pëlqente të dilja jashtë dhe të luaja kukafshehthi, topadjegësi, komando e vaj kanoçe, aq sa duhej të dërgoje ndërhyrjen e shpejtë që të më ktheje në shtëpi. Siç thotë libri “Pushteti i të heshturve”, ne nuk jemi 100 % introvertë apo ekstrovertë. Kemi një natyrë që mbizotëron, por nëse jemi introvertë, jo rrallë na pëlqen të bëjmë gjëra që janë tipike të ekstrovertëve. E pra, shumicën e kohës doja ta kaloja në shtëpi dhe batutat e sime mëje “ngele brenda” kanë qenë një formë e pakuptuar bullizmi, që nuk duhet ta përjetojë asnjë fëmijë. Sot kemi fatin të jemi më të informuar në çdo drejtim dhe libra si “Pushteti i të heshturve” janë një ndihmë e madhe.
DISA PREJ MIQVE TË MI:
Jetojmë në një shoqëri ekstroverte, ku mënyra e parapëlqyer për t’u socializuar është në kafene, teksa kënaqësia më e madhe e fundjavave janë udhëtimet dhe klubet e natës. Unë nuk pi alkool, nuk më pëlqen të udhëtoj shpesh, jeta e natës më lodh, sepse nuk më pëlqen të rri me miqtë pa mundur të flas në mes të zhurmës dhe poteres. Më pëlqen të mblidhemi në shtëpi, të gatuajmë, ose në restorante, ku, teksa drekojmë apo darkojmë, mund edhe të bëjmë biseda të gjata dhe serioze. Dëgjoj jo shpesh, por gjatë gjithë kohës nga miqtë e mi, se duhet të udhëtoj më shumë, të dal më shpesh në pabe e kafene. Shpresoj që, meqë e kam përkthyer unë, miqtë e mi të lexojnë librin “Pushteti i të heshturve” dhe të kuptojnë se nuk ka një formë të gabuar apo të duhur socializimi; se ajo që u pëlqen atyre nuk është me çdo kusht mënyra “e duhur” e argëtimit; dhe se unë nuk jam i detyruar të pëlqej të njëjtat gjëra si ata. Dikush mund të pyesë se si ka mundësi të kem miq që mendojnë kaq ndryshe nga unë. Kjo është e mundur, sepse ashtu siç kemi mendime të ndryshme, kemi edhe shumë të përbashkëta dhe nuk duhet të lejojmë që ndryshimet mes nesh të na ndajnë.
KOLEGËT NDËR VITE:
Gjatë 16 viteve karrierë kam pasur fatin të punoj me njerëz të mrekullueshëm. I kam vlerësuar kolegët e mi dhe me disa prej tyre kam krijuar edhe miqësi. Por ajo që dua t’u them atyre sot, nëse rastësisht më lexojnë është: sa herë që kam parapëlqyer të ulem në kafe vetëm, të drekoj mënjanë, të mos vij në festat kolektive apo të mos përzihem në grupet tuaja të zhurmshme në oborrin e punës nuk ka qenë absolutisht sepse s’më keni pëlqyer apo se, siç kam dëgjuar shpesh të më përkufizojnë, “më duket vetja më i mirë”. Siç thuhet edhe në këtë libër, introvertët kanë prirjen që të kalojnë shumë kohë vetëm, për t’u qetësuar e për të rikarikuar bateritë. Veçanërisht nëse qëllon që këta introvertë të merren me krijimtari. Njerëzit të cilëve do të doja t’ua dhuroja këtë libër janë të shumtë, sepse besoj se është një guidë fantastike për të kuptuar natyrën e vërtetë të atyre që na rrethojnë e me të cilët kalojmë shumë kohë çdo ditë. Të lexuarit e këtij libri do të na ndihmonte të merrnim më të mirën nga të tjerët, pa keqkuptime e paragjykime.
Dua të falënderoj drejtoren e botimeve “Living”, Ridvana Dulaku, jo vetëm se ma besoi mua përkthimin e këtij libri, duke më bërë një dhuratë të paçmuar, por edhe sepse ka qenë një drejtuese e përshtatshme për një introvert krijues si unë. Jam i bindur se ajo, si introverte që është, do të bëjë çmos që këtë falënderim ta heqë nga shkrimi, por unë, nga ana tjetër, do të bëj çmos që ky falënderim të botohet. Fitoftë (introverti) më i zoti!
Nga Gentian Minga