ORA E ZEZË, një histori shprese, shërmi dhe shpëtimi; Vjen në shqip libri i pare i trilogjisë për jetën e Xhon Alites
“Rregullat e Gotit”, shkruar nga Xhorxh Anastasia dhe kushtuar mafiozit me origjinë shqiptare, Xhon Alite, pati një sukses të jashtëzakonshëm në Shqipëri. Ai vazhdon kërkohet nga të apasionuarit pas historive me “djem problematikë”.
Nisur nga interesi i madh i lexuesve për këtë personazh, “Living” vendosi të sillte librin e pare të trilogjisë për jetën e Xhon Alites: “Ora e zezë”. Ky libër merret pak ose aspak me mafien në përgjithësi, por përqendrohet kryesisht te rrugëtimi i Alites, një rrëfim kronologjik, i mbushur me detaje dhe episode tërheqëse, prekëse aty-këtu dhe me raste tronditëse.
Më pëlqen ky libër për disa aryse , por kryesorja sepse Xhon Alite paraqitet aty si një njeri i vërtetë, më të gjitha pikat e forta dhe të dobëta.
Kushdo që e lexon këtë libër, pasi të ndahet prej tij nuk do të ndihet i mashtruar. Përkundrazi, do të kuptojë se, ndonëse jetët tona zhvillohen në mënyra të ndryshme, në thelb historitë tona ngjasojnë dhe me raste, mund të jenë edhe të njëjta. Për këto arsye, në këtë libër nuk do ta gjejnë veten vetëm të ngjashmit me Xhonin. Përkundrazi! Kjo ishte edhe ajo çka më befasoi. Nëse Xhoni që i vogël u rrit i egër, i guximshëm, agresiv, personalisht jam e kundërta e tij. Jam një djalë që standardet shoqërore do ta përkufizonin si “i mbarë”. Megjithatë, edhe pse jam ndryshe nga Xhoni, kjo nuk më pengoi të kuptoja çdo emocion, histori, rrëfim, episod, subjekt të rrëfimeve të tij. Në shumë raste të tundja kokën në shenjë miratimi dhe si për të thënë, “Po, fiks!”, “Të kuptoj!”, “Kështu më ka ndodhur edhe mua!”. Po si është e mundur që një “djalë i
mbarë” të gjejë të përbashkëta me një ish-pjesëtar të mafies? E thjeshtë: pavarësisht nga temperamenti apo “karriera” jonë, janë disa gjëra në jetë që na shoqërojnë të gjithëve.
Me shumë gjasa, pjesa më e madhe e atyre që do të lexojnë këtë libër, do të ndiejnë se kanë shumë pika takimi me Xhonin. Natyra njerëzore, në thelb vihet në lëvizje nga dashuria, kujtimet, nevoja dhe dëshira për t’u kuptuar, dashur e respektuar.
Shumë prej nesh mund ta gjejnë veten në kujtimet e fëmijërisë së Alites, kur ai luante me shokët kaladibrançe dhe bënte mistrecllëqe; kur Xhoni flet në libër për vjedhjen e matësve të parkimit, mua më kujtohet një periudhë pas trazirave të 97-s, kur unë dhe disa shokë të mitë, hiqnim prizat nga ndërtesat e djegura e të shkatërruara dhe i shisnim. Ato para na mjaftonin për xhetonat e lojërave elektronike, por paraja nuk ishte arsyeja kryesore pse e bëmë atë gjë për disa muaj. Siç nuk ishte as për Xhonin. Arsyeja kryesore ishte aventura në vetvete. Adrenalina.Përpos subjektit interesant dhe që të bën kureshtar, ky libër përcjell edhe një mesazh të rëndësishëm: ndonjëherë, sado që përpiqesh, jeta të vë përfund dhe i sjell gjërat në atë mënyrë, që nuk të mbetet veçse të rrënohesh. Mund të jetë një mendim pesimist, por gjithsecili e gjykon vetë nëse është i vërtetë. Nga ana tjetër, ish-mafiozi që punonte për familjen e njohur “Gambino”, jep një mesazh që shpreson të mbërrijë te sa më shumë të rinj, të cilët ndoshta i kanë hyrë një rruge të gabuar, të joshur nga forca, pushteti dhe paraja: mafia, thotë Alite, pavarësisht nga shkëlqimi i jashtëm dhe joshja nga makinat, femrat dhe kostumet e bukura, në të vërtetë është një botë e padrejtë, aspak besnike; mafiozët të shesin pa u menduar dy herë, nëse mund të përfitojnë diçka. Këtë të vërtetë që mund të ndryshojë për mirë jetën e shumë të rinjve me probleme në gjithë botën, Alite nuk e thotë vetëm në “Ora e Zezë”, por edhe në çdo takim kokë më kokë me ta. Sepse ai shpreson dhe dëshiron që asnjë i ri të mos përjetojë aq “orë të zeza” sa ka përjetuar ai!
Nga Gentian Minga