Një rrëfim mbi shndërrimin dhe rizgjimin që vjen falë vështirësive
Në shumicën e familjeve normale, ikja në Skoci për të vërtetuar ekzistencën e përbindëshit të Lok Nesit duket një sipërmarrje e çuditshme për të ndrequr një thyerje sociale dhe për të vënë në vend nderin e familjes, por familja Hajd nuk hyn te normalet. Madje është pak po ta quash thjesht familje jofunksionale.
Romanin “Gruaja e liqenit”, autorja e talentuar kanadezoamerikane, Sara Gruen e fillon me një festë të Vitit të Ri në Filadelfia, në vitin 1944. Mëngjesin e zymtë të 1 janarit 1945, Medi Hajdi dhe burri i saj, Elisi, japin llogari para prindërve të tij, jo vetëm për marrëzitë e natës së shkuar, por për të gjithë marrëdhënien mes tyre. Pas një zënke të ashpër, çifti i ri e gjen veten të dëbuar nga shtëpia dhe pa asnjë mbështetje financiare.
Elisi kishte turpëruar familjen duke u martuar me Medin, vajzën e një nëne të dyshimtë nga qëndrimi moral dhe të paqëndrueshme mendërisht, por ky turp u shtua kur Elisi doli i paaftë për të shërbyer në ushtri për shkak të verbërisë ndaj ngjyrave.
Hapja e një romani me një personazh josimpatik është e vështirë, por hapja e një historie me tre personazhe të tillë josimpatikë kërkon një lloj fuqie mitike për të pasur sukses. Ndoshta këtë ka menduar Sara Grueni kur na njeh me treshen e të përkëdhelurve njujorkezë në boshtin e historisë që shkruan. Medi dhe Elisi, me shokun e tyre, Henkun, bëjnë një plan: në vend që të lëngojnë nën hijen e familjes, ndërmarrin kapërcimin e Atlantikut – pavarësisht nga sulmet gjermane – për të vërtetuar një herë e mirë ekzistencën e përbindëshit të Lok Nesit. Babai i Elisit ishte turpëruar publikisht vite më parë, kur ekspedita e tij në liqen doli se ishte mashtrim. Elisi besonte se mund ta shpëtonte emrin e familjes përmes një akti heroik të kriptozoologjisë dhe të kthehej në Shtetet e Bashkuara me kokën lart dhe i pasur. Të rinjtë, deri atëherë të pasur e të llastuar, fillimisht mbeten si peshku pa ujë në fshatin e vogël skocez, me një bujtinë pa energji elektrike, pa ngrohje apo telefon, mes ushqimit me triska dhe realitetit të papritur të luftës që shfaqet me sulmet ajrore, si dhe mes personazheve të brumosura me zakone e besëtytni të vjetra. Mënyra se si jepet mospërshtatja e tyre me mjedisin e ri është e gjallë dhe zbavitëse, gati komike, por ngjarjet rrokullisen shpejt dhe papritur. Ndërkohë që kërkimi për përbindëshin shkon drejt dështimit, Elisi dhe Henku i kthehen pijes, ndërsa Medi njihet me vendasit, mes tyre me Angusin, mjekroshin që zotëron bujtinën, dhe me tragjedinë e jetës së tij. Në martesën e Medit, të çarat sa vijnë e zgjerohen dhe romani kthehet në një psikodramë, gjë që duket herë pas here edhe nga tonet melankolike të të shkruarit. Medi nis të rivlerësojë jetën e saj të mëparshme, duke e quajtur të cekët dhe pa kuptim. Ajo përjeton një rizgjim moral, shpirtëror e seksual dhe kupton se nuk ishte e domosdoshme të udhëtonte deri në Skoci për të kërkuar përbindëshat, sepse ngado ka përbindësha që të fshihen përpara syve. Metamorfoza e Medit jepet në mënyrë mjaft bindëse.
“Gruaja e liqenit” është një roman tërheqës, i cili duket se t’i shpërblen me episode të përshkruara mjaft hollë edhe kthesat e papritura që merr rrëfimi. Po ashtu, libri merr rëndësi sepse trajton temat e mprehta të padrejtësisë klasore, sëmundjeve mendore, marrëdhënieve familjare, lënies pas dore të fëmijëve, vdekjes dhe dhimbjes. Libri përmban edhe hollësi të mira historike dhe përshkrime të mrekullueshme të malësive të Skocisë.
“Gruaja e liqenit” hyn tek ata romane që e ndërthurin mirë fantastiken me realizmin, pa rënë në klishe dhe zgjatje të panevojshme dhe, ashtu siç e përjetova unë këtë ndjesi gjatë përkthimit, uroj dhe ftoj ta shijojnë po aq shumë edhe lexuesit.