Kur mendimet bëhen ilaç! Historia e rrallë e Burbuqes



Kjo është historia e zonjës nga Tetova, Maqedoni, e cila pretendon se luftoi kancerin në veshka përmes pohimeve pozitive e fuqisë së mendimit. Historinë e saj të rrallë e ka sjellë në shqip shtëpia botuese “Living”, me librin “Fuqia e Mendimeve”.

Në redaksinë tonë ka muaj që flitet për rastin e Burbuqes, një zonjë që jeton në Tetovë e pak vite më parë u bë e njohur për mrekullinë që ndodhi në jetën e saj. Burbuqja u diagnostikua me kancer të përparuar në veshkë dhe mjekët ia prenë të gjitha shpresat. Ata nuk i thanë se sa kohë do të jetonte, por ia bënë të qartë se sëmundja ishte e pashërueshme. Burbuqja nuk u pajtua me fatin e keq, por u kap fort pas jetës. Pas një kërkimi të gjatë në internet dhe me sugjerimin e së motrës, ajo ra në kontakt me autoren Louise Hay, e njohur për një metodë tepër të pazakontë të kurimit; përmes fuqisë së mendimit! Teknika e pohimeve inkurajuese drejtuar vetes është ende pak e dëgjuar, por ithtarët e saj në të gjithë globin, sa vijnë e shtohen. Kjo teknikë ka një filozofi të thjeshtë në thelb. Ti i përsërit vazhdimisht vetes një pohim dhe trupi reagon aq mirë sa gjërat që pohon, fillojnë të bëhen realitet pak e nga pak. Kështu, nëse i thua vetes që s’je sëmurë, me shumë gjasa do të shërohesh. Kështu ndodhi edhe me Burbuqen. Ka nga ata që mendojnë se ajo e ka sajuar këtë situatë, të tjerë besojnë se është thjesht rastësi ose mund të ketë qenë një diagnozë e gabuar, por Burbuqja ia atribuon këtë mrekulli, siç e quan ajo, fuqisë së mendimit. Pasi i mbijetoi kancerit, ajo shkroi një libër, me shpresën se do të ndihmojë shumë të tjerë të gjejnë shpëtim, njësoj si ajo…

“Rreth katër vite më parë u diagnostikova me kancer në veshkë. Mjekët më thanë se ishte shumë i përparuar e për këtë arsye nuk kisha shpëtim. Kimioterapia nuk kishte efekt te ky lloj kanceri, kurse operacioni ishte i rrezikshëm. Kështu, mjekët m’i hoqën të gjitha shpresat për të jetuar. Nuk përcaktuan se sa kohë më mbetej, por më thanë se nuk kisha mundësi për t’u shëruar. E kotë t’ju tregoj si u ndjeva në ato çaste. M’u shemb toka nën këmbë… Isha e frikësuar dhe e trishtuar. Edhe e zemëruar. Gjëja e parë që bëra ishte të kërkoja me orë të tëra në internet për ndonjë mrekulli, por asokohe besoja te fuqia shëruese e ushqimit e ilaçeve çudibërëse popullore, por jo tek ajo e mendimit. Fraza kyç që përdorja në Google gjatë kërkimeve të mia, ishte: “Si të shërohemi në mënyrë natyrale”. Një faqe më drejtonte në një tjetër dhe mësova shumë gjëra, disa prej të cilave ishin vërtet të dobishme. Motra më sugjeroi autoren Louise Hay, e cila ishte bërë e famshme pasi kishte shpëtuar nga një kancer agresiv. E gjeni dot se si? Përmes fuqisë së mendimeve e pohimeve pozitive. Historia e saj më tërhoqi dhe doja të mësoja më tepër. Pata ndjesinë se kisha gjetur atë që më nevojitej. Edhe pse alternativat e tjera online nuk ishin të këqija, në mënyrë intuitive pata veçanërisht më tepër besim te rasti i Hay-t. Ishte diçka e brendshme, një besim i pashpjegueshëm dhe i pambështetur në ndonjë arsye të fortë.

Nga momenti i pohimit të kobshëm të mjekëve e deri në zbulimin e autores Hay, kaluan plot dy javë dhe unë, sapo u familjarizova me këto informacione, nisa të ndiqja menjëherë këshillat e Louis-ës. Në faqen e saj të internetit lexova për mijëra njerëz që ishin shëruar falë teknikës së pohimeve pozitive. Shpresat për të mbijetuar u ngjallën tek unë. Gjeta një arsye për të luftuar, ndonëse të gjithë, përfshirë mua vetë, s’kishin plotësisht besim te këto metoda. Përveç Hay-t, u njoha edhe me mjekun Wayne Dyer, i cili ishte shëruar prej leucemisë në të njëjtën mënyrë si Hay. Filozofia e të dyve është se ne krijojmë gjithçka vetë, përmes mendimeve; atë çfarë mendojmë, e krijojmë! Ndonjëherë duket si diçka e thjeshtë, por nuk është. Kur lexoja për jetën e Louise-ës kthehesha pas në të kaluarën time dhe kuptova sa shumë arsye kisha pasur dikur për të qenë e lumtur. Kuptova se sëmundjen, dashje pa dashje, e kisha krijuar vetëm me pesimizmin dhe mendimet e këqija. Asokohe isha e nervozuar, e stresuar, e pakënaqur, e palumtur. Nuk ishte e lehtë të ishe gruaja e përsosur dhe një nënë e mirë, të rriteshe në karrierë, por edhe të silleshe si një shoqe apo mësuese e përsosur. Nuk isha e kënaqur me atë çka isha dhe kisha, madje mund të them se e urreja veten. Bëhesha histerike e thosha gjithë kohën: “Ah, pse nuk vjen një sëmundje e të shpëtoj”. Tani që sëmundja kishte ardhur, isha përtokë. Hay thotë se gjithçka ndryshon kur ti ndryshon mendimin, ndaj nisa ta shikoja jetën time në një këndvështrim tjetër. Kuptova, në mënyrën më të dhimbshme të mundshme, se kisha pasur një jetë të mirë, por isha “e verbër” dhe pavetëdijshme për këtë; kisha të gjitha të mirat… punën, bashkëshortin dhe ishim vetëm mendimet e mia që e bënin jetën time të dukej një tmerr. Hay ka një sërë metodash trajtimi, ku numri një është dashuria për veten.

Një metodë e trajtimit sipas Louise-ës është ajo me pasqyrën; të dalësh para saj dhe të përballesh me veten; t’i thuash “të dua”. Ky është ushtrimi më i vështirë. Herët e para madje më vinte për të qeshur, pastaj u mësova dhe nisa të përfitoja. Efektet filluan të ndiheshin menjëherë, sapo besova me gjithë shpirt dhe e pranova këtë filozofi. Por nuk e kisha pasur aspak të lehtë të mbërrija deri aty, pasi dikur paragjykoja. Nisa ta përdorja rregullisht këtë metodë afirmimi, një sërë frazash pozitive. Unë, për shembull, isha e sëmurë, dhe i thosha vetes “do të shërohem”, por në një fazë të përparuar të trajtimit, thosha përpara pasqyrës “unë jam shëruar” dhe këtë duhej ta pohoja qindra herë në ditë, derisa ta besoja edhe vetë. S’di ta them me siguri nëse kjo teknikë do të funksiononte te dikush tjetër, por tek unë dha rezultat.

Dy muaj pasi kisha filluar të “punoja me mendjen”, shkova te një mjeke tjetër. Rezultatet ishin mbresëlënëse. Ajo pa ekot e tha se analizat nuk përputheshin me të parat. Kisha pasur një tumor 4 cm të madh, tani dalloheshin dy apo tre të vegjël, nga një cm; domethënë, për dy muaj, tumori ishte tkurrur ndjeshëm. Këto rezultate më bënë të besoja më shumë te teknika e pohimeve pozitive, ndaj vazhdova t’i besoja fuqisë së mendimeve. U deshën dy vite trajtim që të shërohesha plotësisht. Analizat e fundit tregonin se nuk kishte asnjë masë tumorale në veshka dhe përpos kësaj, ndihesha shkëlqyeshëm. Mjeku që më ndiqte u habit, madje për fatin tim, me të ishte edhe një mjek tjetër, shumë i njohur në Ballkan, që i kontrolloi analizat; përgjigjja ishte se “mrekullitë ndodhin”, por unë tashmë e dija se nga vinte kjo mrekulli.

A ishte vërtet efekti i mendimeve pozitive? E vërteta është se unë kam përdorur edhe ilaçe apo metoda të tjera popullore, nuk e mohoj; gjithçka që kam dëgjuar se luftonte sëmundjen, e kam provuar, madje kam punuar edhe me dietën. Kam pirë çdo ditë lëngun e mrekullisë me mollë, karotë dhe panxhar për dy muaj e gjysmë dhe një lloj tjetër ilaçi që bëhet nga bima e kaktusit. Por, sido që të jetë, ilaçet nuk e bëjnë siç duhet efektin nëse nuk ke besim e nuk je optimist.

Në libër ka dëshmi se si miq e të afërm e kanë përjetuar mrekullinë bashkë me mua, diçka jo fort e lehtë për t’u besuar e pranuar. Mund të duket e vrazhdë si shprehje, por e kam shkruar fjalë për fjalë se “çdo sëmundje është bekim”; për një njeri të sëmurë kjo thënie s’është edhe aq e pranueshme, por e them këtë, sepse sëmundja mua më mësoi shumë, si të thuash, më hapi sytë për shumë gjëra. Përpara se kjo gjë të ndodhte e të më kthente jetën përmbys, unë isha shumë pesimiste nga natyra, kurse sot jam bërë optimiste, pozitive, kam ndryshuar 360 gradë. Tani e përballoj stresin më lehtë, i injoroj problemet, sepse ato të bëjnë vetëm keq.

Historia ime ka ndihmuar edhe njerëz të tjerë. Disa mikesha të miat i kanë shpëtuar depresionit përmes historisë e teknikës së pohimeve pozitive. Shembulli më domethënës është ai i një vajze që, pasi u martua, pati probleme me ndryshimet e mëdha që pësoi jeta e saj dhe ra në depresion. Ndoqi terapitë dhe trajtimet klasike por, siç më ka pohuar edhe vetë, asgjë nuk e ndihmoi të dilte nga ajo gjendje. Me teknikën e pohimeve pozitive, ajo gjeti shpëtim dhe thoshte se i dukej sikur ky libër ishte shkruar enkas për të. Për mua që kam shkruar këtë libër dhe dua që lexuesit ta gjejnë veten aty brenda, kjo është fjalia më e bukur që mund të dëgjoj. Metodën e mendimeve pozitive s’është e thënë ta përdorësh vetëm kur je sëmurë, por edhe për gjëra të tjera më të lehta, për të fituar vetëbesim dhe për t’u ndier mirë shpirtërisht.

Ka udhëzime pa fund në internet dhe libra që ndihmojnë me metodën e pohimeve apo meditimit, që është gjithaq një armë e fuqishme. Çdo natë, para se të flija, dilja para pasqyrës dhe i thosha vetes disa herë se isha shëruar. Ky ushtrim zgjaste për rreth një orë. Gjithashtu, shëtisja në natyrë me bashkëshortin tim, Gazin. Lidhja me natyrën është po aq e rëndësishme dhe fuqia e saj nuk duhet nënvlerësuar. Për sa i përket dietës, hoqa krejtësisht mishin e kuq dhe sheqerin, sepse të dyja janë ushqyesit kryesorë të tumoreve dhe qelizave kancerogjene. Ushtrova gjithashtu një teknikë tjetër që quhet tapping, pak e panjohur për shqiptarët, e rekomanduar nga doktori Nick Ortner. Kjo metodë ka si qëllim çlirimin e kanaleve të energjisë në çakra.

Unë kam dy djem, njëri 6 dhe tjetri 13 vjeç. E shoh qartë dallimin mes djalit të madh dhe atij të vogël. I madhi u rrit në periudhën kur unë isha pesimiste, i vogli teksa në njëfarë mënyre, ridimensionova veten dhe bëra këtë luftë me mendime, që duhet theksuar, ka qenë gjëja më e vështirë që më është dashur të bëj në jetë. Djali i vogël është rritur me këtë frymë pozitive. Mendoj se edhe fëmijët ishin një nga arsyet që mbijetova. Nuk ndihesha gati të shkëputesha prej tyre, ndaj luftova fort edhe për këtë arsye. Mund të duket klishe, por dashuria është kryesorja që shëron, ajo zgjidh çdo problem. Unë e krijova sëmundjen përmes mendimeve të këqija, stresit dhe trishtimit dhe e shërova atë, përmes dashurisë pa kufi që i dhashë vetes e që mora nga njerëzit e dashur.

Ecuria e shërimit tim është e shtjelluar gjerë e gjatë në një libër që, si fillim u shkrua në anglisht dhe u titullua “Dr. Mind”, pra “Dr. Mendja”, e pastaj u soll në shqip nga shtëpia botuese “Living”. Nuk kisha menjëherë ndër mend të bëja libër. Ideja lindi pasi në faqen online të Louis Hay-t u hap një konkurs për njerëzit që kishin ndjekur udhëzimet e saj dhe ishin shëruar. Unë përmblodha rastin tim fare shkurt. Pastaj, agjentë nga stafi i Hay-t më kontaktuan e më kanë lutur ta shkruaj librin. Ishin shumë këmbëngulës e frymëzues, ndaj në fund më bindën, ndonëse për mua ishte e vështirë të ndaja diçka kaq personale me botën. Guximin e mora vetëm për një qëllim, që t’u vijë në ndihmë edhe atyre që janë aty ku isha unë, pasi jam e ndërgjegjshme sa gjendje e vështirë është.

Unë nënshkrova kontratën me ta pa hedhur në letër asnjë fjali, pastaj u ula dhe e shkrova librin për dy javë e gjysmë, në anglisht. Pati sukses. Më kanë shkruar se e kanë lexuar në shumë vende të botës, si: Filipine, Irlandë, Amerikë, Indi, Itali dhe qindra njerëz më kanë falënderuar që ndava me ta përvojën time, që më pas ndikoi e ndryshoi atë të shumë të tjerëve. Ne jemi ajo çka mendojmë apo që pohojmë shumicën e kohës. Sikur ta dinim sa fuqi kanë mendimet, asnjëherë s’do të tregoheshim negativë, por do ta shfrytëzonim fuqinë që kemi brenda nesh për të mirën tonë”.

 

Ky është vërtet një libër i shkurtër, por ama trajton një histori shumë prekëse, nga fillimi deri në fund. Është një libër që të frymëzon, i cili më bëri të besoja te mrekullitë. “Isha në zonën e mrekullive.” – The bookish howler

Do ta ruaj thellë në mendje e në zemër këtë libër, që të di si të përballem me problemet. Siç thotë edhe vetë autorja: “Gjithçka e ka zanafillën te mendja”. – Arnild Aldepolla nga Books and Fanarts, Filipine

Ky libër i shkurtër ishte si një shkollë e vërtetë për mua. Cilat ishin pjesët që më pëlqyen më tepër? Çdo paragraf, çdo rresht, çdo fjalë. Kjo histori është një thesar dhe të bën të reflektosh për kuptimin e vërtetë të jetës: çdo çast duhet jetuar sikur të jetë i fundit. – Jessica Esposito, Itali

Është një vepër e shkruar bukur, një punë e shkëlqyer që tregon forcën dhe lidhjen e pastër mes mendjes dhe trupit. Zonja Raufi besoi në fuqinë e mendjes së saj, dhe kjo i riktheu shëndetin. Historia e saj personale na mbush të gjithëve me shpresë. – Kathi Dasilva, Florida

Sa më shumë që e lexoja, aq më shumë më dukej sikur isha edhe unë atje, me mjekët, në klinikë dhe dëgjoja rezultatet. Me fuqinë e mendimeve pozitive, ndiej se kam rilindur. – Tracy Gilmore, shkrimtare, Virxhinia