Kur fryma bëhet ajër



K ur dr. Pol Kalanithi i dërgoi shokut të ngushtë një imejl ku i shkruante se sapo kishte mësuar se vuante nga një sëmundje e pashërueshme, ndër të tjera, i tha: “Lajmi i mirë është që do të jetoj më gjatë se dy nga motrat Brontë, Xhon Kitsi dhe Stivën Kreini. Lajmi i keq është se ata kishin shkruar shumë kryevepra, ndërsa unë ende asgjë.” Kjo ishte një mënyrë për ta marrë si me shaka të paimagjinueshmen, por edhe një tregues i ambicieve të mëdha të Kalanithit, mjekut dhe autorit të librit “Kur fryma bëhet ajër”. Ai mendonte se kishte bërë një jetë të mrekullueshme, të cilën nuk kishte aspak ndër mend ta linte të pashkruar.

Gjatë njëzet e dy muajve jetë që i kishin mbetur, dr. Kalanithi, i cili ndërroi jetë në moshën tridhjeteshtatëvjeçare, arriti ta shkruante kryeveprën e tij, por jo ta përfundonte atë. Epilogu i librit është shkruar në një mënyrë shumë prekëse dhe hera-herës edhe filozofike, si për të ndjekur linjën e Polit, nga bashkëshortja e tij, Lusi. Është e pamundur ta lexosh atë dhe të mos mbërthehesh nga emocione të forta: “Shkoj shpesh te varri i tij. Marr edhe një shishe të vogël ‘Madeira’, verën që na shërbyen në muajin tonë të mjaltit. Sa herë që shkoj, hedh pak verë në bar, për Polin. Kur më shoqërojnë prindërit dhe vëllezërit e tij, gjatë kohës që jemi atje, flas me ta dhe ledhatoj barin, sikur të ledhatoja flokët e Polit. Kedi përgjumet aty, e shtrirë në një batanije, me sytë nga retë që i kalojnë sipër kokës…”

»Një libër që të mbërthen që në faqet e para, por që bëhet e pamundur ta lëshosh nga dora teksa lexon se si Poli rreket të rilindë në mënyra të ndryshme, pa e ditur se ç’e pret të nesërmen.«

Falë këtij libri, lexuesi do të njihet mirë dhe do ta dojë një njeri dhe personazh si Poli, një luftëtar të dijes dhe jetës. Ai na njeh në detaje me rrugëtimin e tij si mjek, por edhe si pacient e më pas edhe si bashkëshort dhe baba, por, mbi të gjitha, na njeh me kuptimin e vërtetë të jetës.

Vështirë të mendosh se si Kalanithi gjeti forcën fizike për ta shkruar këtë libër, në një kohë kur sëmundja e kishte vënë thuajse përfund, por të gjithë i jemi mirënjohës që e bëri. Ai e kaloi jetën e tij të shkurtër duke kërkuar kuptimin e jetës nëpër libra, shkrime, tekste mjekësie dhe shkencore, për të na dhënë në fund të gjithëve mësimin më të vyer. E ardhmja, në vend që të të ndihmojë të ngjitësh shkallët e arritjeve, kthehet mbrapsht në të tashmen. Paraja, statusi, të gjitha vanitetet që përshkruhen në librin “Predikuesi” në Bibël, nuk kanë më asnjë rëndësi. Nuk ka rëndësi se sa, por se si jetojmë.

»Shumica e ambicieve në jetë ose arrihen, ose harrohen: në të dyja rastet, një ditë, mbeten në të shkuarën. «