Historia, një skandal i vjetër sa bota; Libri që do ju ‘përpijë’ që në faqet e para dhe mezi presim ta lexojmë
Librat nuk ekzistojnë si qëllim në vetvete. Ekzistojnë vetëm në çastin kur dikush i lexon. Nuk ekziston “Zonja Bovari” apo “E kuqja dhe e zeza”, ekzistojnë shumë “Zonja Bovari” dhe shumë “E kuqja dhe e zeza”, aq sa ç’janë herët që i lexojmë.
Një roman proteste
Një roman i dhembjes dhe pendimit, që përshkohet fuqishëm nga dëshpërimi, tensioni, mëshira, dituria, bukuria, por me një regjim të dobët dhe të molepsur jetësor. E çuditshme: në një roman ku shfaqen fate të ndryshme, të cilat përmbushen me përpikëri një e nga një dhe përfundojnë si shumë kanale kulluese, në të njëjtën gropë të përbashkët, shquhet një structure rapsodike, me episode, një zdrukthëtari me histori që hyjnë te njëra-tjetra, tipar i poemave epiko-kalorësiake. Me këtë traditë, për të mos përmendur derivation donkishotesk, aq të dashur për shijen rrëfimtare të Morantes, ky libër nuk ka të përbashkët vetëm ndërtimin e veprës nëpërmjet shmangieve nga tema kryesore. Debati për librin e Morantes qe i gjatë dhe mori menjëherë ngjyrime politike. Italia e atëhershme (ky libër u botua për herë të parë në vitin 1974) nuk ishte ajo e sotmja; era e të ashtuquajturave opinione me peshë, frynte nga e majta, dhe idetë e së majtës ishin ide të forta, ide fituese, ndonëse jo ngadhënjimtare politikisht. Nuk ishte koha e Bertinotit. Në atë kohë, nuk kishte ndodhur kurrë që një roman italian të shtypte më shumë se njëqind mijë kopje (pak a shumë standardi i Moravias). Tirazhi i
“Historia: një skandal i vjetër sa bota”, qe shumë i lartë dhe brenda një kohe të shkurtër u shtypën gjashtëqind mijë kopje. Kjo bëri çudi. Ishte një roman kundër rrymës, me frymë anarkike. Asokohe, Elsa Morante u akuzua se po spekulonte me vuajtjen, se po shiste dëshpërim dhe po propagandonte pesimizëm, se kishte hedhur në treg një roman “të kritikueshëm nga këndvështrimi marksist dhe proletar”.
Romani “Historia: një skandal i vjetër sa bota” është një relacion, një kronikë, dhe prej tyre ka marrë gjuhën dhe stilin. Një ditë janari të vitit 1941, në lagjen “Shën Lorenc” në Romë, një ushtar gjerman që priste të nisej për në Afrikë, dehet, endet për të gjetur pak dashuri dhe i hidhet përsipër një mësueseje të shkollës fillore, që po kthehej në shtëpi me trastat e pazarit. Gruaja, me emrin Ida Ramundo dhe prejardhje nga Kalabria, është vejushë dhe ka një djalë, Ninon. E paralizuar nga frika, mësuesja thuajse e lëshon veten përballë dhunës së ushtarit. Pasi e përdhunon, ushtari zhduket dhe mësuesja sjell në jetë një foshnjë me sytë si deti dhe qielli bavarez, Uzepen. Ida, që deri në atë çast kishte jetuar pa e përfillur trupin e saj, nis të jetë pre e një bote të errët dhe të fshehtë që e tiranizon që nga fëmijëria: ajo e ëndrrave. Por një instinct edhe më i errët, i ngjashëm me thirrjen e një zëri të njohur, e tërheq në shëtitje të gjata dhe të ankthshme drejt lagjes së Getos, si drejt një strofke vëllazërore ku nuk mund të shkojnë të gjithë.
“Historia: një skandal i vjetër sa bota” është një roman që fshikullon trillimin dhe thuajse e shpërfill traditën e romaneve kalorësiake. Mirëpo, çuditërisht, nën sipërfaqen e ngjarjeve të vërteta, ndërton atë lloj marrëdhënieje me realitetin që zakonisht mbahet me mbretëritë e përrallave. Mund të thuhet se Morante dëshiron ta mbajë qëllimisht të ndarë pasurinë dhe thellësinë që mbart bota e së mrekullueshmes, përrallores, mahnitëses nga çdo kotësi, e romaneve kalorësiake ose nga pothuajse të gjitha shabllonet letrare që bazohen tek imagjinata. Ky pikësynim i dyanshëm ndiqet me ngulm. Si mund të ndahet trillimi nga vetvetja? Fakti është se përpjekja e Morantes për t’i dhënë vërtetësi imagjinatës së saj pjellore, është heroike. Nuk dihet nëse një bimësi e harlisur mbulon si degët e një peme kacavarëse faktet që kanë ndodhur realisht apo nëse karroca ku udhëton historia nuk është veçse një mashtrim, maska pas të cilës largohet, si në fund të një Edeni, një botë e plotë që ndoshta na është shumë pranë, ndonëse shfaqet vetëm herë pas here. Përmbajtja, skenari, intriga nuk ekzistojnë. Ai që i shtyn ngjarjet e “Historisë” të zhvillohen, është kushti më i ulët, më shtazarak që mund të nxisë shkrimin e një romani: uria, nevoja për mbijetesë. Është i vetmi fill i kuq, bashkë me kërkimin e një strofke. “Historia: një skandal i vjetër sa bota”është një histori shpërnguljesh, që lufta i bën të vështira dhe të detyrueshme. Nga Etleva Çepele