Historia e rrallë e Burbuqe Raufit që luftoi sëmundjen e keqe; Ribotohet libri “Fuqia e mendimeve” që frymëzoi mijëra njerëz
…secili që do t’i praktikojë këto ushtrime me përkushtim dhe vëmendje, në fund, do të jetë një njeri më i mirë, do të ketë një jetë më të mirë, dhe nuk do të tërheqë më energji negative apo përvoja të këqija, sepse ne jemi ajo që mendojmë se jemi: nëse mendojmë se jemi të sëmurë, mendja jonë do t’i krijojë edhe simptomat fizike, nëse mendojmë se nuk jemi të lumtur, mendja jonë ka aftësi të krijojë situata të tilla të pafundme…
Nga Etleva Çepele, Fotografia Armand Habazaj
Burbuqe Raufi lindi dhe u rrit në Tetovë, Maqedoni, ku jeton edhe sot, bashkë me bashkëshortin dhe dy djemtë e saj. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tetovës, dega Gjuhë dhe Letërsi Angleze dhe menjëherë më pas nisi të punonte si mësuese e gjuhës angleze dhe të angazhohej në shoqata të huaja me aktivitet në Maqedoni. Aktualisht punon në Komunën e Tetovës, si këshilltare dhe inspektore për arsimin. Për lexuesin shqiptar ajo njihet më së shumti prej librit të suksesshëm “Fuqia e mendimeve”, ardhur nga shtëpia botuese “Living”, i cili gjendet në treg prej dy vitesh dhe ka rrëmbyer zemrat e shumë lexuesve. Përpara disa vitesh, Burbuqja kaloi një situatë të vështirë shëndetësore dhe thuajse i humbi shpresat për jetën. E kush nuk i humbet, kur edhe mjekët i thonë se rasti i saj/i tij është i pashpresë? Veçse Burbuqja, pas një periudhe të errët zgjodhi ta merrte vetë në dorë timonin e jetës së saj. Mendoi se AJO dhe VETËM AJO kishte të drejtë të vendoste për fatin e saj. Kështu, vendosi të luftonte dhe t’i mbijetonte një sëmundjeje që shumë syresh e quajnë të pashërueshme. Për ta arritur këtë, ajo përdori fuqinë e mendimeve. Po, po, ndodhi pikërisht kështu dhe falë energjisë së pashtershme pozitive që përftoi nga fuqia e mendimeve, të cilat ndikuan dhe shënjuan jetën e saj, BURBUQJA I THA JO VDEKJES dhe PËRQAFOI JETËN. Sot, ajo jeton e lumtur jetën e saj të re, e shëndetshme si kurrë më parë, dhe falënderon çdo ditë Zotin dhe jetën. Ajo mendon se duhet të jemi mirënjohës çdo ditë dhe jeta do të na e shpërblejë. Pas përjetimit të fuqisë së mendimeve në jetën e saj dhe pas jehonës që bëri historia e mbijetesës së saj, Burbuqja vendosi ta ndante me të gjithë historinë e vërtetë të jetës së saj, duke shkruar librin “Fuqia e mendimeve”. Në të ajo tregon me detaje se si u sëmur, si mendoi se do të humbiste jetën e do të ndahej përgjithmonë nga të dashurit e saj të shtrenjtë dhe se si më pas gjeti shpëtim te fuqia e mendimeve, luftoi çdo ditë për ta larguar të keqen brenda vetes, i tha “ik, nuk të dua në jetën time” dhe një ditë të bukur rezultatet e analizave në spital treguan se në trupin e saj nuk kishte më asnjë të keqe. Por dukej se vetëm historia e saj, e cila frymëzoi dhe u dha zemër jo pak njerëzve, nuk mjaftonte. Të shumtë ishin ata që i kërkonin ndihmë Burbuqes për të kaluar sëmundje të ndryshme nga të cilat vuanin. Kështu, ajo vendosi ta shtonte librin me një pjesë ku shpjegon specifikisht se si mund të marrim në kontroll fuqinë e shpirtit dhe të mendjes dhe ta drejtojmë atë drejt së mirës. Sakaq, më vjen ndër mend një shprehje amerikane: “Everything is a state of mind”, pra, gjithçka nis nga një mendim. Nëse do të pyesnim autoren tonë, ajo do ta konfirmonte vërtetësinë dhe fuqinë e kësaj shprehjeje, pasi e ka provuar në lëkurën e saj dhe vjen për të gjithë në një intervistë ekskluzive, ku do të ndajë me ne fuqinë mahnitëse të ndryshimit në jetën e saj me anë të mendimeve.
Ju jeni diplomuar për letërsi. Pse erdhi “Fuqia e mendimeve” tani dhe jo më parë?
Sepse ato që shkruaja më parë më dukeshin shkarravina dhe nuk kisha guximin t’i ndaja me të tjerët. Megjithatë gjithçka ndryshoi në vitin 2012, kur jeta ime pësoi një ndryshim të madh, unë pësova ndryshim të madh. Përpara syve të mi u shpalos një jetë krejtësisht e re, një unë e re. Kjo përvojë ishte arsyeja kryesore që më dha forcën, guximin dhe vendimin për ta ndarë me të tjerët diçka aq të veçantë siç është historia ime; jo vetëm sepse doja, por unë besoja se një hap i tillë ishte i domosdoshëm. Thuajse çdo ditë ne dëgjojmë lajme të hidhura për familjarë, miq, të njohur, kolegë që preken nga ndonjë sëmundje dhe nëse shikojmë statistikat rrallëherë ndodh që ata të shërohen dhe kjo është një dukuri e frikshme. Unë doja që t’i jepja shoqërisë sonë një shpresë, ta zëvendësoja këtë frikë me dashuri, sepse pikërisht ata që kishin mposhtur sëmundjet ishin frymëzimi im më i madh, dhe i kërkoja gjithandej për të kuptuar se si, çfarë bënë ata ndryshe, çfarë mund të bëja unë ndryshe që të mposhtja sëmundjen time. Prandaj, për të ndihmuar të tjerët, duhej të ndaja me lexuesit atë që kam bërë unë, atë që bëj unë, ndryshe.
Libri pati shumë sukses. Përse lindi ideja për ta shtuar me një pjesë të dytë?
Kur vendosa ta botoja librin “Fuqia e mendimeve” në anglisht, me titullin “Dr. Mind”, e bëra me një qëllim: Nëse ky libër do të ndihmonte qoftë edhe vetëm një person, misioni im do të ishte i përmbushur. As që më shkoi ndër mend se libri do të kishte këtë sukses dhe do të shkonte dorë më dorë nga lexuesit te miqtë dhe familjarët e tyre. Unë merrja mesazhe në “Facebook” dhe “Instagram” nga e gjithë e bota, të cilët më falënderonin dhe shkruanin vlerësime në “Amazon” dhe “Goodreads”, duke e cilësuar librin tim si një ndër librat më frymëzues. Kështu kuptova edhe rëndësinë e madhe që kishte ky libër për mirëqenien e shoqërisë, por, më së shumti jam emocionuar kur pas botimit të librit në shqip filluan të më shkruanin edhe shqiptarët. Ishin aq shumë saqë nuk arrija t’u përgjigjesha të gjithëve, sado që përkushtohesha maksimalisht. Pikërisht kjo më shtyu të shkruaja dhe shtesën me ushtrimet praktike, që në mungesën time lexuesit të kenë mundësi të punojnë, të ndryshojnë dhe të lulëzojnë të pavarur. Kam zgjedhur ushtrimet që kanë funksionuar për mua, jo ato që janë vetëm teori, por ato ushtrime që më kanë ndihmuar të rigjeja veten, veten time të vërtetë, fuqinë brenda vetes për të ndryshuar dhe për të riprogramuar veten për të qenë sa më mirë.
A ka ndryshuar diçka në jetën tuaj gjatë këtyre dy viteve që libri ka qenë në treg?
Sigurisht, sepse pas botimit të librit, ashtu siç e theksova dhe më lart, kam pasur vërshime të lexuesve me probleme nga më të ndryshmet, në sytë e të cilëve unë isha shpresa e vetme që u kishte mbetur. Ishte shumë e vështirë t’i dëgjoja kur më pyesnin: “Po unë si t’ia bëj tani?” Ndonëse me aq mundësi sa kisha mundohesha t’i ndihmoja, t’i këshilloja, ishte e pamundur që ti ndaja gjithë njohuritë e mia në një telefonatë, një takim apo nëpërmjet porosive online. Pra, duhej patjetër të ulesha përsëri dhe të shkruaja gjithçka që kam bërë dhe vazhdoj të bëj. Këto ushtrime janë një portë që të shpie drejt vetes, dhe, atëherë, duke qenë i vetëdijshëm për veten, gjithçka rreth teje venitet, të gjitha hallet, problemet, sëmundjet zhbëhen. Pse? Sepse të gjithë ne kemi lindur me të drejtën e pacenueshme për të pasur mirëqenie, të cilën e kemi e humbur gjatë rrugës.
A keni takuar gjatë kësaj kohe lexues, të cilëve u ka shërbyer libri juaj si një mjet për të kaluar një vështirësi në jetën e tyre, cilado të ketë qenë ajo?
Po, kam takuar shumë lexues, dhe ka pasur edhe nga ata që kanë marrë mundimin të vijnë deri në Tetovë për të më takuar. Këta lexues janë bashkëveprimtarët e mi, janë pikërisht ata që jua rekomandojnë librin atyre që mendojnë se kanë nevojë për një të tillë. Historia ime ka frymëzuar shumë syresh, por do të veçoja disa raste të personave që kanë tejkaluar vështirësitë që i mundonin. Pasi e kanë lexuar librin, ata më kanë kontaktuar dhe duke vepruar sipas këshillave të mia kanë pasur sukses. Ata më shkruajnë vazhdimisht për sukseset e tyre dhe për të më falënderuar.
Përse duhet ta blejmë këtë ribotim?
Të gjithë ata që kanë lexuar “Fuqia e Mendimeve”, por edhe ata që nuk e kanë lexuar, do të përfitojnë nga ky libër sepse kam bërë një përzgjedhje të hollësishme të ushtrimeve, ku lexuesit mund të praktikohen nën udhëzimet dhe mbikëqyrjen time; bashkë, hap pas hapi. Unë jam shumë e sigurt se secili që do t’i praktikojë këto ushtrime me përkushtim dhe vëmendje, në fund do të jetë një njeri më i mirë, do të ketë një jetë më të mirë, dhe nuk do të tërheqë më energji negative apo përvoja të këqija, sepse ne jemi ajo që mendojmë se jemi: nëse mendojmë se jemi të sëmurë, mendja jonë do t’i krijojë edhe simptomat fizike, nëse mendojmë se nuk jemi të lumtur, mendja jonë ka aftësi të krijojë situata të tilla të pafundme. Prandaj, e them edhe njëherë, kthimi drejt vetes është çelësi.
A keni një mesazh për lexuesit e “Living”?
Ta doni veten, sepse vetëm duke dashur veten mund të doni dhe të tjerët; duke dashur veten, e doni dhe jetën dhe atëherë edhe jeta do t’ju dojë juve.