Ha. Ushqehu. Rrezato… dhe bëhu e suksesshme!



Intervistë ekskluzive me Amelia Freer, terapiste e ushqyerjes dhe autore e librit të shumëshitur, i cili vjen për publikun shqiptar nga shtëpia botuese “Living”…

40-vjeçarja Amelia Freer ka studiuar në institutin prestigjioz të mirushqyerjes dhe është anëtare e Shoqatës Britanike për Terapinë e Ushqyerjes së Aplikuar. Përpara se të shkruante librin që e bëri të njohur në mbarë botën, “Ha. Ushqehu. Rrezato”, ajo siguroi një përvojë të vyer në shumë vite trajtimi të qindra klientëve të saj për probleme si ato me tretjen, peshën, lëkurën apo ndjesinë e lodhjes. Duket sikur fama e saj është vetëm njëra anë e medaljes. Pas këtij suksesi, fshihen vite të tëra studimi, por edhe një lodhje e madhe duke dëgjuar qindra histori njerëzish të dëshpëruar. Rastet fatlume janë pa fund, por ka edhe raste si ai kur një kliente dështon dhe fajëson terapisten për këtë. Përtej shkëlqimit të popullaritetit, këto janë rreziqe të profesionit dhe Amelia i ka pranuar.

Kërkesat e shumta për t’u këshilluar me të, bënë që ajo të mos përqendrohej te klinika, por të hapte një blog dhe biznesin e shpërndarjes së ushqimeve në shtëpi. Ishte blogu që solli mandej idenë e botimit të librit në 2014-ën. Ai shiti 200.000 kopje. Shumë jehonë punës së saj i dha rasti i këngëtarit të njohur britanik, Sam Smith, i cili tronditi publikun me rënien e tij në peshë. Ai madje i bëri reklamë Amelias në faqen e tij shumë të ndjekur në Instagram.

Freer mendon se më tepër sesa problemi “ushqime të mira” apo “ushqime të këqija” është marrëdhënia e gabuar e njerëzve me ushqimin: zakonet e vjetra, të rrënjosura që nga fëmijëria, që nuk është dhe aq e thjeshtë t’i ndryshosh. Ishte përvoja e saj personale dhe problemet me shëndetin që e bënë të niste këtë rrugëtim që ende vazhdon. Në vitet e para pas diplomimit, ajo punonte si asistente personale e Princit të Uellsit, por ndonëse i pëlqente, puna që bënte ishte shumë e lodhshme. Nga ana tjetër, edhe pse ishte vetëm te të 20-at, ajo ndihej tmerrësisht keq, e lodhur dhe e dinte fare mirë se këtë ia shkaktonte dieta e keqe. Ndonëse nuk ishte dukshëm mbi peshë, lëkura e saj kishte probleme dhe i filluan edhe problemet me Sindromën e Zorrës së Irrituar. Në moshën 28-vjeçare, Amelia dha dorëheqjen nga puna me Princin Charles dhe nisi një kurs 4-vjeçar për ushqyerjen.

Shtëpia botuese “Living” ka nxjerrë një kolanë botimesh me fokus në stilin e jetës. A është i mbivlerësuar roli i të ushqyerit shëndetshëm?

Jo, sepse mendoj që ushqimet e shëndetshme janë pjesë e rëndësishme e një stili cilësor jetese, por s’janë të vetmet që luajnë këtë rol. Gjumi, ushtrimet, qetësia, koha e kaluar me familjen e miqtë, krijimtaria, mirënjohja etj., janë gjithaq të rëndësishme dhe lista vazhdon e është e gjatë. Është thjesht çështje ekuilibri. Nuk duhet të fokusohemi më shumë nga sa duhet në një aspekt të vetëm, duke lënë pas dore të tjerat.

Cili është qëndrimi juaj personal ndaj ushqimit?

Parapëlqej ushqimet e thjeshta, të freskëta, plot ngjyra e të stinës. Dieta ime bazohet në perime dhe fruta të freskëta e të shijshme, kombinuar me proteina (si mishi i kuq, peshku apo mishi i pulës) dhe me yndyra (vaji i ullirit, arrat, farat e ndryshme dhe avokadoja) gjatë çdo vakti. Të gjitha këto, pa asnjë vakt të ndërmjetëm.

Si nisi rrugëtimi drejt ushqyerjes së shëndetshme?

Vite më parë, një mikesha ime mendoi se kisha disa simptoma problemesh me shëndetin, për shkak të ushqimeve që haja. Shkova te një dietologe dhe u ndjeva më mirë menjëherë pasi ndryshova dietën. Kjo përvojë më frymëzoi jashtëzakonisht dhe e lashë punën si asistente personale e njërit prej anëtarëve të familjes mbretërore britanike dhe fillova të trajnohesha vetë si terapiste ushqyerjeje.

Si ia bëni që të mos tundoheni dhe ta prishni regjimin tuaj ushqimor?

Nuk e kam të vështirë të ushqehem gjithmonë shëndetshëm, sepse kjo më bën të ndihem mirë dhe plot energji. Për më tepër, me kalimin e kohës shijet e mia kanë ndryshuar, ndaj s’më pëlqejnë më ushqimet e “pista”. Megjithatë, një gotë verë e kuqe më josh herë pas here.

Njerëzit sikur janë lodhur nga fjala “dietë” e s’mund t’i fajësojmë për këtë. Cila është filozofia juaj për dietën? A mund ta shndërrojmë dietën në një zakon të bukur, pa qenë diçka e bezdisshme apo e konsideruar si barrë, pa qenë stresuese dhe e mërzitshme?

Unë nuk u besoj dietave! Edhe mua më kanë lodhur e më kanë ardhur në majë të hundës. Është shumë herë më e rëndësishme të bëjmë ndryshime të vogla, të cilat mund t’i ushtrojmë gjatë gjithë jetës, sesa ndryshime të mëdha (si “dieta”), të cilat zgjasin vetëm për disa javë. Gjithsesi, ushqimi është një burim gëzimi për shumë njerëz, ndaj mendoj se të mbajturit dietë ta ul paksa dozën e kënaqësisë. Jeta është e shkurtër për të bërë diçka të tillë. Mua më pëlqen ushqimi, por e di se lumturinë mund ta gjesh edhe te gjërat e shëndetshme.

Duhet vetëm pak vullnet, durim dhe një kureshtje e madhe, sepse të gjithë jemi unikë e kemi shije të ndryshme. Thjesht duhet të zbulojmë se cilat janë e si t’i kombinojmë për t’u ushqyer shëndetshëm. Në momentin që kemi këto përgjigje, ushqyerja shndërrohet në një zakon shumë herë më të kënaqshëm. Sigurisht që e pranoj se unë dhe klientët e mi kemi leje të devijojmë ndonjëherë nga ushqyerja në mënyrë të përsosur, edhe pse me kalimin e viteve kjo dëshirë sa vjen dhe zbehet. Me kalimin e kohës, bëhet gjithmonë e më e lehtë të ushqehesh shëndetshëm!

Pyetja universale… a janë ushqimet e shëndetshme edhe të shijshme? Ç’marifete mund të përdorim që t’i bëjmë më të shijshme?

Absolutisht po, ushqimet e shëndetshme mund të jenë shumë të shijshme. Ushqimet e freskëta kanë shije të jashtëzakonshme. Nuk ka pse ngrënia të shndërrohet në diçka të mërzitshme. Gatimeve të mia u hedh gjithmonë shumë erëza, si për shembull lëng limoni, barishte të freskëta, piper të zi, erëza që pjata të marrë një shije më të mirë, por njëkohësisht, organizmi të përftojë vlerat e tyre ushqyese dhe shëndetësore.

Dhjetë rregulla për të pasur një jetë më të mirë e më të shëndetshme, për të garantuar rininë, të gjitha me ilustrime e receta. Si ju lindi ideja për të shkruar këtë libër dhe cila është kënaqësia që keni marrë prej tij?

Frymëzimi im për “Ha, ushqehu dhe rrezato”? Doja të ndaja me gjithkënd se sa i fuqishëm mund të jetë ushqimi, pa praktikuar një dietë të vështirë dhe me shumë kufizime. Doja të jepja këshilla realiste e të thjeshta, që shpjegojnë si, çfarë dhe pse duhet të ushqehemi mirë. Doja të qartësoja atë konfuzionin që është krijuar për këtë temë dhe t’u jepja njerëzve mjete të thjeshta për të bërë ndryshimet e nevojshme. Sigurisht, edhe disa receta të shijshme për t’i gatuar. Kënaqësia që kam marrë si shpërblim ka qenë e jashtëzakonshme. Njerëzit janë lidhur vërtet me këtë libër dhe kanë pasur rezultate të mahnitshme.

Vura re se ju nuk i thoni një “JO” të madhe ngrënies së mishit. Nuk ka problem nëse e hamë në mënyrë të moderuar? A e dëmton shëndetin tonë një porcion i vogël mishi, një kek i vogël plot me sheqer apo një copë byrek? Cili është kufiri për ushqime të tilla?

Mendoj se, nëse pjesa më e madhe e dietave përbëhet nga përbërës të freskët; shumë perime, fruta të freskëta, karbohidrate komplekse, yndyra të shëndetshme e proteina cilësore (përfshirë mishin), atëherë ka gjithmonë hapësirë për disa devijime të moderuara. Përveç kësaj, përpiqem ta zbatoj pikë për pikë rregullin, i cili thotë se duhet të ushqehemi 95% të herëve për shëndetin fizik dhe vetëm 10% për shëndetin tonë social apo emocional. Kjo do të thotë se ka gjithmonë hapësirë për një copë torte të mirë ditëlindjesh apo për një ëmbëlsirë të mrekullueshme kur dalim për darkë, por pastaj duhet t’i ktheheni menjëherë ushqyerjes së shëndetshme. Më pëlqen vërtet ajo shprehja e vjetër italiane që thotë se “sasia e ushqimit të parapëlqyer, por të dëmshëm, duhet të jetë në proporcion të drejtë me kohën e bisedës që jeni duke bërë gjatë ngrënies”; kjo më bën të rezistoj sa herë më vjen të ha diçka të pashëndetshme kur jam vetëm në makinë, por më jep lirinë të përqafoj idenë e të ngrënit diçka të tillë pa u ndier në faj kur jam duke kaluar mirë me miqtë.

Shumë ankohen se nuk kanë kohë, para apo vullnet për të ndjekur një regjim të shëndetshëm ushqimor. Cila është këshilla juaj për ta?

Të gjejnë diçka ku të përqendrohen apo me të cilën të nisin. Të mos përpiqen t’i bëjnë të gjitha gjërat njëherësh. Të përqendrohen te një nga aspektet që duan të përmirësojnë dhe të punojnë me diçka që është më realiste për ta. Mund të përgatisni disa nga ushqimet gjatë ditës së diel që gjatë javës të gatuani më pak? Mund të kurseni para duke blerë vetëm përbërës të stinës? Nëse problemi juaj është vullneti, atëherë mund të bashkëpunoni me një mik apo partner që t’ju ndihmojë e t’ju mbështesë. Personi i duhur që mund ta gjejë zgjidhjen, jeni vetë ju, por duhet t’i bëni gjërat me radhë dhe me vëmendje. Rrjedhimisht, do të gjeni përgjigjet e duhura.

Cili është përbërësi që nuk e “hani kurrë” dhe ai që duhet “ngrënë se s’bën”?

S’kam asnjë ushqim që duhet ngrënë se s’bën apo një tjetër që nuk duhet ngrënë kurrë, sepse jemi njerëz dhe është e rëndësishme të mos vendosësh shumë rregulla e kufizime për ushqimet, edhe pse mendoj se nuk janë të shëndetshme. Megjithatë, nëse do të më duhej të zgjidhja një përbërës që do ta hiqja menjëherë nga dieta, do të ishte sheqeri (sidomos në ushqime, si: ëmbëlsira, çokollata, biskota apo kekët). Një nga përbërësit e domosdoshëm, do të ishin perimet e freskëta jeshile.

Ushqimi i shëndetshëm nuk do të thotë vetëm dieta të shëndetshme, por para së gjithash, përbërës të shëndetshëm. Si t’i gjejmë këta përbërës në një botë të pushtuar nga ushqimet OMGJ?

Është vërtet e vështirë të gjesh ushqime të mira e cilësore, pa përbërës me organizma gjenetikisht të modifikuar. Megjithatë, ka disa mënyra. Fillimisht, kontrolloni gjithmonë etiketat në ushqimet që blini, shpesh thonë se nuk janë OMGJ. Së dyti, mund të përpiqeni të rrisni vetë frutat dhe perimet tuaja nëse keni kopsht. Unë i mbjell vetë shumë nga perimet që përdor. Kjo nuk është vetëm një mënyrë e lirë për t’u ushqyer mirë, por edhe se e di fare mirë se ku janë mbjellë dhe rritur. Për më tepër, puna në kopsht më qetëson shumë (një përfitim tjetër shëndetësor). Në të kundërt, blini ushqime nga njerëz vendas që i njihni dhe u besoni.

Kjo intervistë do të botohet në numrin special të dhjetorit, pra, për festa. Cila është këshilla juaj për fundvitin?

Këshilla kryesore është se gjatë muajit dhjetor s’duhet vetëm të hamë e të pimë. Pjesa më e bukur e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri është të kalojmë kohë cilësore me miqtë e familjen, të marrim disa ditë pushim dhe të qetësohemi, të krijojmë një atmosferë të ngrohtë festive. Mendoni mënyra alternative se si të kënaqni veten e të tjerët që ju rrethojnë, mënyra që nuk bazohen tek ushqimi. Për shembull, fëmijëve mund t’u pëlqejë një përrallë apo lojëra të ndryshme, takohuni me një mik dhe shkoni në një koncert në vend të një darke ose ftojeni familjen tuaj për të vizituar një vend të bukur. Shpesh, të afërmit e të dashurit tuaj e vlerësojnë këtë shkëputje nga tavolina, ku vetëm hahet e hahet pa fund.