“Garderoba me dhjetë veshje” leksioni i vyer që mund të mësoni nga Madame Chic


Autori:
Zhanri:
Blog
Bli tani
Paguaj me: Kartë krediti PayPal

Në çdo kapitull të librit “Leksione nga Madame Chic” zbulohet nga një sekret, të cilin Jennifer-i e mësoi duke këqyrur madamën në Paris, por që edhe ju mund ta përfshini në jetën tuaj, pavarësisht se ku jetoni apo të ardhurave që keni.

Duke përqafuar filozofinë parisiane të sasisë dhe cilësisë, do të mësoni të zotëroni artin e të ngrënit (pa e privuar veten), të veshurit (gardërobën me dhjetë veshje), paraqitjen (makijazhi ujë e sapun) dhe të jetuarin allafrancez.
Që nga mbrëmjet argëtuese gjithë formalitet e deri te jetesa aktive, libri “Leksione nga Madame Chic” është një manual për këdo që dëshiron të ndërthurë mënyrën e jetesës me stilin tipik të të veshurit francez.. Më poshtë gjeni një ekstrakt të shkurtër shkëputur nga libri

Gardëroba me dhjetë veshje

MOS U TREMBNI! Kur themi gardërobë me dhjetë veshje, mos e merrni fjalë për fjalë. Qëllimi i saj është të çlironi dollapin e tejmbushur nga veshjet që nuk ju bëjnë më, nga ato që janë stërveshur apo veshjet jocilësore. Qëllimi final është të krijoni një gardërobë që do ta dashuroni, ku çdo veshje t’ju personifikojë ju si individ dhe të krijoni një hapësirë që mbushet me frymë, duke hequr qafe rrëmujën. Gardëroba juaj duhet të ketë një bërthamë prej dhjetë veshjesh, plus minus disa, por këtu nuk përfshihen veshjet e rënda (pallto, xhaketa, triko), veshjet për raste (fustanet e veçanta), aksesorët (shalle, doreza, kapela, pelerina), këpucë dhe ato që unë i quaj “të brendshme”, si kanotierat, bluzat apo këmishët që zakonisht vishen poshtë trikove apo pulovrave.

(Dua të kem disa të tilla, që të mos i laj rrobat çdo dy ditë dhe t’u zgjas jetën rrobave si bluzat e kashmirit.)

Gjithashtu, kjo gardërobë vlerësohet çdo stinë dhe rrobat ndryshohen sipas saj. Për shembull, nëse do ta bënit këtë gjatë verës, brenda numrit dhjetë nuk do të fusnit dhe bluzat e kashmirit. Ato mund t’i shpini në depo dhe në vend të tyre të fusni në dollap tri fustane vere.

Spastroni gardërobën

Që të përcaktoni dhjetë veshjet, fillimisht duhet të vini rregull në gardërobë. Është e rëndësishme që të bëni një spastrim, pas të cilit të mbeten vetëm dhjetë veshje të varura (dhe të tjerat plus minus, për të cilat folëm). Mund edhe të mendoni se do të vishni vetëm nja dhjetë veshje e ndërkohë t’i mbani të tjerat të ngjeshura aty në dollap “për çdo rast”, por ia vlen të hiqni qafe të gjitha rrobat e tepërta apo t’i ruani diku tjetër. Kur nisa të spastroja timen, iu futa me kokë dhe hoqa qafe shtatëdhjetë për qind të gardërobës. U ndjeva e përmbushur. Ishte shumë e thjeshtë, ndoshta edhe sepse kisha kohë të vlerësoja çdo veshje. Hodha gjithçka mbi shtrat dhe ekzaminova një nga një çdo veshje, duke i bërë vetes disa pyetje.

Pyetjet për gardërobën

A MË PËLQEN ENDE? Në shumë raste kapesha pas ndonjë veshjeje, sepse e kisha blerë shtrenjtë, jo se më pëlqente.

A E VESH NDONJËHERË? Kisha shumë rroba që nuk i vishja. Disa nuk i kisha veshur prej më shumë se dy vjetësh. E dija edhe që nuk do t’i vishja më, por për disa arsye nuk i hidhja dot.

A MË BËN AKOMA DHE A MË SHKON? Njerëzit shëndoshen, dobësohen, lindin fëmijë dhe trupi ndryshon. Duhet të jemi të vetëdijshëm se ç’formë ka silueta jonë. Vishuni sipas trupit që keni, jo sipas linjave që do të donit apo që keni pasur dikur.

A MË PËRFAQËSON TANI KJO RROBË? Kjo është një pyetje e jashtëzakonshme dhe në shumicën e rasteve përgjigjja ime ishte një “jo” e fortë. Kisha mbajtur kot bluza dhe funde që i kisha blerë në fillim të të njëzetave (madje gjeta edhe disa fustane stil baby doll – e tmerrshme!). Sa shumë gjëra kanë ndryshuar që atëherë; tashmë jam grua dhe nënë. Shija ime është më e rafinuar dhe e sofistikuar dhe ato rroba nuk bënin më për mua. E kuptoj se ndoshta nuk jeni gati të spastroni çdo gjë, që me raundin e parë, dhe është normale. Pasi të hidhni gjithçka që nuk e doni, ju sugjeroj që ato që nuk janë për të veshur, por jo për të hedhur, t’i ruani nëpër qese apo kuti në një dhomë tjetër. Thjesht mbajini larg syve. Mund të kuptoni se ka kaluar një vit pa ju shkuar mendja tek ato, kështu që do të kuptoni se mund të bëni edhe pa to.

Personalizoni gardërobën me dhjetë veshje

Tashmë që e keni spastruar, ka ardhur çasti ta personalizoni gardërobën me dhjetë veshje. Kjo varet se ku jetoni dhe çfarë stili jetese keni. Dihet që një avokate në Manhatan do të ketë një gardërobë kryekëput ndryshe nga një nënë shtëpiake në Atlanta. Mendoni çfarë bëni zakonisht në jetën tuaj të përditshme. Mbledhje bordi? Takime me prindër? Punoni nga shtëpia? Lëvizni me biçikletë? Llogarisni pastaj edhe stinën (borë, shi pa fund apo diell përvëlues?) dhe sigurisht stilin dhe personalitetin (moderne, klasike minimaliste, boheme). Gardëroba ime me dhjetë veshje është bazuar në situatën time të tanishme: jam nënë e dy fëmijëve të vegjël, por gjithsesi dua që të kem një pamje të rregullt, kështu që pjesa më e madhe e gardërobës sime ka veshje sportive dhe në një cep disa fustane për raste. Jetoj në Kaliforninë e Jugut, që ka një klimë të butë edhe në dimër. Shumicën e kohës kujdesem për shtëpinë dhe fëmijët, i çoj ata te lodrat, shkruaj ose shëtis. Këtë stil jetese reflektojnë edhe zgjedhjet e mia për gardërobën me dhjetë veshje.

Librin e gjeni në librari e pike shitje, por mund ta blini online në këtë link ose të na shkruani për çdo porosi.