”Friend request”, romani që po mban të mbërthyer lexuesit anembanë në botë tashmë flet shqip
Jeni në kërkim të një libri i cili t’ju mbajë pezull, aq sa të mos doni ta lëshoni më nga dora? Nuk keni përse përhumbeni në morinë e titujve që pushtojnë çdo verë stendat e librarive, pasi ‘’Botimet Living” sapo kanë nxjerrë në treg ‘’Friend request”, një roman i jashtëzakonshëm dhe drithërues që do t’ju ‘’mbërthejë’’ që në faqet e para.
Trilleri më i bukur i vitit i autores britanike Laura Marshall, i përkthyer në mbi dhjetëra gjuhë, është shoqëruesi më i mirë për t’u mbajtur këtë verë në çadrën e pushimit.
”Ai imejl në postën elektronike më ra si bombë. “Maria Ueston do të bëhet shoqe me ty në ‘Facebook’.” Për një fragment sekonde, nuk e lexova fare fjalën “Facebook”, por vetëm “Maria Ueston do të bëhet shoqe me ty”.
Instinktivisht, e mbylla laptopin, duke e përplasur fort. M’u mblodh një lëmsh në grykë, që sa vinte e zmadhohej, më shtrëngonte më fort, gati-gati po më mbyste. U përpoqa të rifitoja frymëmarrjen, që të mblidhja sadopak veten. Shiko, se ndoshta nuk e lexove mirë. Me siguri që nuk e ke lexuar mirë, se ndryshe nuk ka mundësi. Dalëngadalë, u ula prapë në karrige dhe ngrita kapakun e laptopit. Me duart që më dridheshin, hyra sërish tek imejlet, ku vërtetova pa asnjë grimë dyshimi se e kisha lexuar mirë që herën e parë. “Maria Ueston do të bëhet shoqe me ty.”
Me siguri, dikush ka dashur të bëjë shaka. Po kush? Kujt mund t’i duket se po bën shaka me diçka të tillë? Kush dreqin mund ta dijë se ç’efekt ka tek unë një ngjarje e tillë?
Ka një mënyrë për të shpëtuar nga ky makth. Mjafton ta fshij imejlin, të hyj në “Facebook” dhe të fshij edhe kërkesën për miqësi, pa e parë fare faqen e personit që e ka bërë atë. Një pjesë imja mezi po pret ta bëjë, t’i japë fund me kaq; ama pjesa tjetër, ajo pjesa e heshtur 4
dhe e varrosur diku thellë brenda meje, do ta dijë. Ajo do të kuptojë.
Kështu, klikoj “pranoje kërkesën për miqësi” dhe hyj sakaq në faqen e saj; në faqen e “Facebook”-ut të Maria Uestonit. Fotografia e profilit është një foto e lashtë, e cila me siguri që është skanuar, pastaj është hedhur në rrjetin social. Është Maria, me këmishën e gjelbër të uniformës së shkollës, me flokët e gjatë ngjyrëgështenjë që i valëviten nga era dhe atë buzëqeshjen e lehtë që i lodron në fytyrë. Kontrolloj faqen e saj, se mos zbuloj ndonjë gjë më shumë, por hiç. Ajo nuk ka asnjë mik dhe as fotografi të tjera përveç asaj të profilit.”