Friend Request, një ndër trillerët psikologjikë më të mirë që do t’ju përpijë që në faqet e para
Vera është stina e duhur për t’u përhumbur mes faqeve, mistereve dhe pasioneve marramendëse të trillerëve psikologjikë. Çdo verë, shtëpia botuese “Living” sjell për lexuesit shqiptarë, tanimë besnikë të librave tanë, ndër të tjerë, edhe trillerët më të mirë të momentit. Thënë këtë, duam t’ju prezantojmë me suksesin e radhës në këtë zhanër, librin FRIEND REQUEST, nga autorja angleze Laura Marshall.
Përse kjo zgjedhje?
“Friend Request” (Kërkesë për miqësi) është një libër që ka thyer rekordet e shitjeve në shumë vende të botës, duke e bërë autoren të sjellë në jo më shumë se një vit më pas, suksesin e saj të radhës. Por le të mbetemi te libri ynë. Në qendër të tij është Luiza, një grua me një të kaluar të trazuar. Papritur, një ditë, ajo merr një kërkesë për miqësi në “Facebook”, që do të bëjë t’i dridhet toka nën këmbë. “Maria Ueston do të bëhet shoqe me ty”… Por Maria ka vdekur… apo jo? Hijet e dikurshme nuk i ndahen hap pas hapi, megjithatë ajo e di që një ditë duhet të vendosë të shpëtojë prej tyre, edhe pse rrezikon të humbasë shumëçka… duke nisur nga djali i saj. Doemos, zgjedhja nuk është aspak e lehtë. Rishfaqja e papritur e Marias, shoqes së gjimnazit, kërcënon të tashmen e saj, gjë që e detyron Luizën të rilidhet me të gjithë ata që mund ta ndihmojnë të bashkojë copëzat e së kaluarës, por teksa rreket ta bëjë këtë, ajo vetë do të zbulojë të vërteta që nuk ia kishte marrë kurrë mendja se do të ekzistonin. Për të ruajtur sekretin, Luiza duhet më së pari të shtjellë lëmshin e krijuar rreth saj dhe Marias. Personazhi i Luizës, ndonëse imagjinar, vjen shumë i vërtetë, por, mbi të gjitha, i pëlqyeshëm dhe i ngrohtë. E kush prej nesh
nuk ka kaluar ditë të këqija? Kush prej nesh nuk do të ishte i gatshëm për gjithçka, që të siguronte të ardhmen e fëmijëve të tij? Tekefundit, kush nuk e ka pasur një Maria apo një Sofi në jetën e vet? Rrëfimi ndahet mes së tashmes dhe së shkuarës (thuajse njëzet e pesë vjet më parë), për të përshfaqur pak nga pak atë që i ka ndodhur Marias, por edhe për të zbuluar se si ka evoluar jeta e personazheve ndër vite. Misteri që rrethon zhdukjen e Marias, të bën të mos e lëshosh librin nga dora që në faqen e parë dhe deri në atë të fundit.
NGA: ETLEVA ÇEPELE