Dy fjalë për vëllimin me tregime “Beti”
Çdokush mund të pyesë përse zgjodha pikërisht këto tregime dhe jo krijime të tjera nga vepra e këtyre autorëve të shquar. Natyrisht, përzgjedhja ka të bëjë me anën subjektive të përkthyesit, por një gjë është e sigurt: këto tregime, ashtu si edhe shumë të tjera që mund të kisha zgjedhur nga këta autorë do të na mahnisnin njësoj me mjeshtërinë e rrëfimit, detajet e spikatura si edhe me forcën depërtuese deri në skutat më të thella të shpirtit njerëzor.
Gjëja më e rëndësishme që i bashkon këto tetë tregime dhe shkrimtarët e tyre është se të katër autorët janë dishepuj të Çehovit, p. sh. nuk është rastësi që kritika e ka cilësuar Margaret Atwood-in “Çehovi ynë”. Personazhet dhe detajet e tregimeve janë të gdhendura mjeshtërisht, ashtu siç janë skalitur edhe mjediset e atmosfera ku ata veprojnë. Nga një përkryerje e tillë na zbulohet vetvetiu (pa asnjë ndërhyrje nga autorët) domethënia e jetës, apo e thënë ndryshe: epifania çehoviane! Edhe mbyllja e tregimeve, ku konfliktet nuk zgjidhen, por lihen të hapura, ku çdo gjë trajtohet si një problem, por që nuk jepet një përgjigje, dukuri që i vërejmë pothuaj në të gjitha tregimet e këtij vëllimi janë karakteristikë e artit çehovian. Nuk duhet lënë pa thënë se në tregimet e këtyre autorëve ndihet edhe ndikimi nga Heminguej, ashtu siç ndihet te të gjithë shkrimtarët e tregimit të shkurtër.
Në këto tregime trajtohen tema të mprehta të shoqërisë moderne, si: shpërbërja dhe degradimi i familjes, marrëdhëniet burrëgrua, dashuria e tradhtia bashkëshortore, ndjesia e pështjellimit, kaosi e paaftësia për t’u përshtatur me ndryshimet galopante të jetës moderne, indiferenca ndaj mjerimit të të tjerëve. P.sh. në tregimin “Ketzali mahnitës”, të Margaret Atwood tregohet historia e një çifti që u ka vdekur fëmija gjatë lindjes dhe kjo tragjedi ka gërryer nga brenda marrëdhëniet burrë-grua. Për ta shpëtuar këtë martesë, ata nisen në një udhëtim turistik për të parë një nga vendet e famshme arkeologjike të fiseve Maja, si edhe një nga zogjtë më të bukur në botë, “ketzalin mahnitës”, por ajo çka ndeshin atje s’është gjë tjetër veçse një metaforë e gjendjes së rrënuar të marrëdhënies së tyre. Do të jetë e vështirë që lexuesve t’u hiqen lehtë nga mendja mbylljet e disa prej këtyre tregimeve: p.sh. në tregimin “Në zonën e akullt” të Joyce Carol Oates, Motër Irena është murgeshë dhe profesore e anglishtes. Ajo ia ka kushtuar jetën Krishtit dhe është tërhequr plotësisht nga jeta shoqërore. Është e ftohtë ndaj çdo ndjesie njerëzore, pasi siç pohon vetë, “ajo kishte vetëm një jetë,” që ia kishte falur Krishtit dhe ishte e lidhur emocionalisht vetëm me TË, dhe kjo e bënte të paaftë të krijonte marrëdhënie ndjesore me njerëzit. Kur ndodh që Ellëni, një student, arrin t’i zgjojë asaj ndonjë ndjesi njerëzore, përsëri ajo është e akullt dhe kjo gjë e tmerron. Studenti ka nevojë për të, e lut, i thotë “dua diçka nga ti, më lejo të të prek dorën”, por ajo qëndron e ftohtë si të ketë në gjoks jo zemër, por akull. Kur më vonë merr vesh që Ellëni ka vrarë veten, asaj nuk i bën përshtypje fare, madje e justifikon kështu: Ajo kishte vetëm një identitet dhe mund të bënte vetëm një zgjedhje. E si mund të ishte fajtore që u tregua e akullt dhe nuk e ndihmoi studentin e gjorë? U ndala vetëm në këto dy tregime, pasi nuk dua që t’u heq kërshërinë lexuesve ndaj tregimeve të mrekullueshme e plot të papritura të kësaj përmbledhjeje, por, në mbyllje dua të shtoj se edhe në shoqërinë bashkëkohore shqiptare po bëhen të pranishme çdo ditë e më shumë po ato dukuri që vërejmë në përmbledhjen me tregime “Beti”.