200 Receta


Autori:
Linda Fishta
Zhanri:
Gatim
Çmimi:
1500 lekë, (11.59 €)

Nga seria e Botimeve Living vjen në treg libri "200 receta" nga autorja Linda Fishta.

Provoni recetat e këtij libri, shtoni pak vullnet dhe dashurinë si “përbërësin” kryesor dhe do të arrini të krijoni pjata të mira në pak kohë. Shijet unike dhe aromat që do të mbushin kuzhinën tuaj pasi të sfidoni veten me këtë libër, janë “krijuar” në një laborator profesional idesh.

Gjithçka që duhet të dini për të gatuar me shije dhe për t’u ushqyer shëndetshëm në çdo stinë:

  • Antipasta (kek të kripur, pica, fokaçe dhe antipasta të vogla)
  • Pjata të para (makarona, rizoto, njoki, supa)
  • Mishi ( eskallop, rosto me fruta të ndryshme, salca pikante për të shoqëruar pjatat kryesore, etj)
  • Peshku (supa peshku, hamburger me merluc, sallatë me kallamar)
  • Pjata shoqëruese (perime të gatuara në furrë dhe sallata të ndryshme me fruta e perime sipas stinëve)
  • Ëmbëlsira të vogla (cupcakes, biskota, brownies, bonbone)
  • Ëmbëlsira të ftohta (akullore, granita, cheesecake, tiramisu dhe mus të përgatitura me fruta, krem, ose çokollatë)
  • Torta për raste të veçanta (torta me arrë kokosi, me Coca-Cola, torta Mimoza, Pavlova, me çokollatë, etj)
  • Tarta dhe ëmbëlsira me fruta (tarta me brumë Frola, me brumë Brise, kek me fruta, kek me krem pastiçerie, bukë të ëmbla për mëngjes)

Bashkë me librin edhe një CD dhuratë.

 

“Si lindi dashuria ime për kuzhinën?”

Ende ruaj kujtime të freskëta që lidhen me fëmijërinë time të lumtur dhe aromat që vinin nga kuzhina jonë e vogël. Më kujtohet që të dielave, dita fillonte me petullat që përgatiste mamaja ime për mëngjes dhe vazhdonte me pjatat e tjera po aq të mira. Mua më pëlqente të skuqja patatet (se dy i fusja në gojë dhe një në tas) dhe të përgatisja ëmbëlsirën. Pra, dashuria ime për kuzhinën lindi në një kuzhinë me dashuri.

Më pëlqejnë si të kripurat dhe të ëmblat, por adhuroj në veçanti të ëmblat dhe sidomos tortat me fruta. A ka aromë më të mirë sesa aroma e një torte me fruta në furrë? Pasioni i kuzhinës, si çdo pasion tjetër, duhet të kultivohet. Kur u transferova në Itali, përpara 20 vjetësh, fillova të ndjek kanalet televizive me tematikë kuzhinën, bleva shumë libra ku studiova teknikën dhe çdo gjë që ishte për t’u mësuar rreth botës së kuzhinës. Qysh atëherë nuk u ndala kurrë dhe dëshira ime për të eksperimentuar gjëra të reja, më përfshiu të tërën. Pëlqej në veçanti kuzhinën franceze dhe atë italiane, por jam gjithmonë në kërkim të shijeve të reja, meritë kjo e udhëtimeve të shumta që kam bërë. Më pëlqejnë vërtet shijet dhe aromat, por më pëlqejnë po ashtu edhe historitë që lidhen me to.

Recetat që sjell në këtë libër, janë të shpejta, të thjeshta, të lehta dhe me përbërës të shëndetshëm dhe të stinës. Nga eksperienca, kam mësuar që rezultatet më të mira janë kur përdorim përbërës të freskët dhe të cilësisë së mirë. Shpesh dëgjoj të thuhet se kur punon, nuk ke kohë të gatuash dhe këtu lind pyetja: a mundet një zonjë që punon dhe ka familje, të lërë mënjanë të gjitha, të mbyllet në kuzhinë dhe në gjysmë ore kohë të përgatisë diçka të shijshme dhe të shëndetshme? Natyrisht që po. Provoni recetat e këtij libri, shtoni pak vullnet dhe dashurinë si “përbërësin” kryesor dhe do të arrini të krijoni pjata të mira në pak kohë. E them nga eksperienca personale, sepse në familjen time edhe kur koha është e pakët, të ushqyerit shëndetshëm është i shenjtë.

Linda Fishta

 

“200 receta të thjeshta dhe të shpejta, të kripura dhe të ëmbla”, i autores Linda Fishta është një libër kuzhine ndryshe. Si i pari në serinë e botimeve “Living”, kjo përmbledhje e kujdesshme recetash është një punë serioze dhe dinjitoze, pas së cilës fshihet një ekip profesionistësh. Shijet unike dhe aromat që do të mbushin kuzhinën tuaj pasi të sfidoni veten me këtë libër, janë “krijuar” në një laborator profesional idesh. Për to ka punuar ekipi që kuron revistën më të dashur sot për shqiptarët, revista Living, si dhe janë testuar nga ekspertët e “Institutit Living” dhe njohës të mirë të shijes e kuzhinës.

Në qoftë se nuk keni gatuar asnjëherë më parë, ky libër është i përshtatshëm për të marrë guximin e për të provuar, sepse recetat janë tepër të thjeshta. Ato janë gjithashtu të shpejta dhe në shumicën e rasteve me përbërës që nuk kushtojnë shumë e kjo është diçka që të gjithë e duam. Gjatë realizimit të recetave nuk do të hasni asnjë vështirësi, sepse edhe përbërësit pak të veçantë, që mund të jenë të panjohur e të padëgjuar, gjenden në supermarketet CONAD dhe ky është një tjetër plus i librit, që e pasuron kuzhinën tuaj me shije të reja. Por sigurisht që baza e recetave janë përbërësit e shëndetshëm dhe natyralë të traditës mesdhetare të gatimit, të menduar enkas nga autorja Fishta dhe Instituti Living që gatimet të kenë vlera të mirëfillta ushqyese për gjithë familjen.

Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, është prezantimi i recetave, që vjen me një standard krejtësisht të ri dhe bashkëkohor, në të njëjtën lartësi me botimet më të mira në tregun botëror.
Në dy vite, Instituti Living është rritur dhe zgjeruar e bashkë me të janë përsosur edhe recetat e menduara me dashuri për lexuesin dhe ky libër është dëshmia e vërtetë e gjithë kësaj…

Renato Mekolli

Ekspert “Instituti Living”