Bisedë me Daniel Silva



Daniel Silva, shkrimtari amerikan, i cili së fundmi është shpallur si autori më i mirë i librave me tematikë spiunazhi i ditëve të sotme. Ai u bë i njohur për publikun shqiptar me librin “Vajza angleze”, botuar nga shtëpia botuese “Living”, i cili vazhdon të korrë sukses e të kërkohet nga lexuesi ynë.

Daniel Silva lindi në vitin 1960, në Michigan, Amerikë. Që i vogël, ai e dinte se do të bëhej shkrimtar, por profesioni i tij i parë do të ishte ai i gazetarit. Ka punuar si korrespondent në Kajro dhe në Gjirin Persik. Në vitin 1987, Silva mbulonte kronikat për luftën Irak-Iran, ku u njoh edhe me korrespondenten e NBC-së, Xhemi Gangel, me të cilën u martua një vit më pas dhe kanë dy fëmijë, Nikolasin dhe Lilin, të cilët shkrimtari i merr shpesh në udhëtimet e tij për punën me librat.

Në vitin 1995, ai i rrëfeu së shoqes se donte të punonte si shkrimtar me kohë të plotë dhe me mbështetjen e saj, nisi të shkruante dorëshkrimet e para. Që prej asaj kohe, Silva ka botuar 18 romane me tematikë spiunazhi dhe të gjitha kanë kryesuar listat e “New York Times” për një kohë të gjatë. Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se 30 gjuhë dhe numri i tyre është në rritje.

Prej vitit 2001, librat e Silvas kanë në fokus personazhin e Gabriel Alonit, një restaurues arti, agjent dhe vrasës izraelit.

Lexuesi shqiptar u njoh me Gabriel Alonin fillimisht me librin “Vajza angleze”, botuar nga shtëpia botuese “Living”, i cili u bë shumë shpejt i dashur për lexuesin shqiptar. Së fundmi, kjo shtëpi botuese ka sjellë një tjetër kryevepër të Daniel Silvas, librin “Çështja Karavaxho”, që ka korrur sukses të jashtëzakonshëm në Amerikë dhe në mbarë botën. Gjatë karrierës së tij si shkrimtar, Daniel Silva ka marrë disa çmime të rëndësishme.

Duke qenë se në faqen e shtëpisë botuese “Living” na shkruajnë shpesh për të mësuar më shumë për këtë shkrimtar dhe ecurinë e veprave të tij, ne kemi zhvilluar një intervistë, e cila do t’ju ndihmojë të njiheni më mirë me të dhe me librin “Çështja Karavaxho”, i cili sapo ka dalë në tregun shqiptar dhe ju ftojmë ta shijoni njësoj si ne.

Përse mendoni se personazhi i Gabriel Alonit u bë kaq popullor në mbarë botën?

Gabriel Aloni ka dy “fytyra”: atë të restauruesit të artit dhe atë të agjentit të Shërbimit Sekret Izraelit. Njerëzit e duan, sepse, paçka se ndër vite i është dashur të bëjë shumë punë të pista, Aloni është njeri i mirë. Dy fytyrat e tij më kanë ndihmuar mua si shkrimtar, që të krijoj një personazh spiunazhi ndryshe nga shumë të tjerë. Pastaj, janë aventurat e tij që të çojnë në çdo skaj të botës dhe të njohin me historinë e shumë vendeve.

Në librin “Çështja Karavaxho”, Lea, gruaja e parë e Gabriel Alonit, përdor një shprehje: “Dëbora i lan mëkatet e Vjenës. Në Vjenë, bie dëborë, në Tel- Aviv bien predha.” Mund të na thoni dy fjalë më shumë për këtë?

Atë shprehje Lea e ka thënë para se të plagosej e të humbte vetëdijen, kur ndodhej në Vjenë. Atë çast, po shihte nga dritarja flokët e dëborës që binin, ndërsa në televizor shfaqeshin pamje të Luftës së Gjirit Persik.

Personazhi i Leas sipas jush simbolizon tmerret e terrorizmit?

Nuk duhet të harrojmë asnjëherë se, pas çdo sulmi terrorist, ata që mbijetojnë përballen me pasoja të rënda. Lea përfaqëson diçka shumë të rëndësishme: Gabriel Aloni është një restaurues arti, i cili mund të rregullojë gjithçka, përveç gruas së tij. Ai e vuan shumë këtë.

Duket se Gabrieli rreket t’i ngrejë vlerat edhe Kristofer Kelerit, një ishanëtari të elitës së Forcave Ajrore Speciale Britanike, i cili është kthyer në një vrasës profesionist.

Ata formojnë një dyshe fantastike: dy tipa të fortë, por gjithaq të këndshëm, të cilët duket sikur janë gjithmonë në garë me njëri-tjetrin. Gabrielit nuk i duket aspak e drejtë që Keleri vret njerëz për para, paçka se shpesh i duhet të vendosë se disa njerëz meritojnë të vdesin.

Në librin “Çështja Karavaxho” ju flisni shumë për historinë e artit. Ka ndonjë arsye të veçantë për këtë?

Gjysma e parë e kësaj vepre përqendrohet në histori arti, kryesisht në zhdukjen e një pikture të famshme të Karavaxhos. Mua m’u duk me vend të njihja lexuesin me atë piktor, t’i shpalosja një pjesë të historisë së jetës së tij dhe mënyrës se si pikturonte. Uroj që lexuesi ta mirëpresë këtë pjesë të librit, sepse prej kohësh, kam dashur të shkruaj diçka për piktorin Karavaxho.

Përse vendosët të përfshini Lindjen e Mesme në këtë libër?

Pranvera Arabe shfaqi haptazi lakminë e diktatorëve arabë. Hosni Mubarak, Muamar Kadafi dhe tanimë edhe qeveria siriane, ka grumbulluar shumë pasuri. Krimi artistik është një biznes mjaft fitimprurës dhe pikturat e vjedhura mund të përdoren si formë spastrimi parash.

Sikur kjo intervistë të zhvillohej me Gabriel Alonin, cili do të ishte sipas tij rreziku më i madh për Izraelin sot?

Dikur, Izraelit iu desh të përballej me shtetet e ashpra të botës arabe. Sot, kemi atë që Aloni do ta quante “Alkadestan”, një faktor joshtetëror dhe degë e ekstremizmit sunit. Gabrielin e shqetëson shumë kjo forcë, sepse ai mendon se ato grupe një ditë mund t’i kthejnë sytë nga Izraeli.

Përse duhet ta lexojmë librin “Çështja Karavaxho”?

Së pari, sepse do të argëtoheni shumë, por në të vërtetë, ju garantoj që, në këtë libër, do të mësoni shumë gjëra, si nga pikëpamja artistike, ashtu edhe nga ajo historike. Pastaj, librat na mësojnë diçka të ndryshme secilit prej nesh. Lexim të këndshëm, lexues të Shqipërisë!