Vajza e Pirenejve


Autori:
Kristin Hannah
Zhanri:
Mister & Thriller
Çmimi:
1400 lekë, (10.81 €)

Në dashuri zbulojmë se kush dëshirojmë të jemi. Në luftë zbulojmë se kush jemi në të vërtetë.

Kristin Hannah është autore e njëzet e dy romaneve. Në listën e gazetës prestigjioze “New York Times”, librat e saj janë renditur si më të shiturit në të gjithë botën. Ish-juristja që u bë shkrimtare është nënë e një djali, dhe jeton me bashkëshortin e saj në Pacific Northwest dhe Hawaii.

Francë, 1939

Në fshatin e qetë të Carriveau-së, Viana Moriaku përcjell të shoqin, Antuanin, i cili niset për në frontin e luftës. Ajo nuk beson se nazistët do ta pushtojnë Francën, por ata vërshojnë me trupa të shumta ushtarake, karvanë kamionësh dhe tankesh, avionë që mbushin qiellin dhe bombardojnë të pafajshmit. Kur një kapiten gjerman strehohet në shtëpinë e Vianës, ajo me të bijën duhet të jetojnë me armikun, përndryshe humbasin gjithçka. Pa ushqim, pa para dhe pa shpresë, teksa rreziku përshkallëzohet, për të mbajtur familjen gjallë ajo është e detyruar të marrë herë pas here vendime të dhimbshme.

Motra e Vianës, Izabela, është një vajzë rebele tetëmbëdhjetëvjeçare, duke kërkuar t’i japë kuptim jetës me pasionin e rrëmbyeshëm rinor. Ndërsa mijëra parizianë i largohen tmerrit të luftës, ajo njihet me Gaetonin, një partizan që beson se francezët mund të organizohen brenda vendit në luftë kundër nazistëve, dhe bie në dashuri me të ashtu siç u ndodh vetëm të rinjve . . . kokë e këmbë. Ai i premton se do ta marrë në luftë, por ndërron mendje dhe zhduket. Pavarësisht nga kjo, Izabela nuk dekurajohet. Ajo përfshihet në radhët e Rezistencës dhe bëhet aktiviste e devotshme për kauzën e lirisë. Rrezikon jetën e vet për të shpëtuar shumë jetë të tjera.

Me guxim, elegancë dhe mprehtësi, autorja e njohur, Kristin Hannah, shfrytëzon panoramën epike të Luftës së Dytë Botërore dhe hedh dritë mbi një aspekt thelbësor të kësaj historie, që trajtohet rrallë: roli i grave në luftë. “Vajza e Pirenejve” tregon historinë e dy motrave të ndara prej vitesh, nga përvoja, ideale dhe pasione të ndryshme për jetën. Secila prej tyre ndjek rrugën e saj të rrezikshme drejt mbijetesës, dashurisë dhe lirisë, në Francën e pushtuar nga gjermanët dhe të shkatërruar nga lufta. “Vajza e Pirenejve” është një roman i bukur dhe thellësisht prekës që ngre në piedestal pathyeshmërinë e shpirtit njerëzor dhe qëndrueshmërinë e grave në luftë. Ky është një roman që lartëson njeriun dhe jetën.

E adhuroj romanin “Vajza e Pirenejve” të shkruar nga Kristin Hannah. Ajo ka trajtuar një aspekt të veçantë të jetës franceze gjatë Luftës së Dytë Botërore, me detaje të mrekullueshme dhe tone dramatike. Por mbresa më të thella më ka lënë marrëdhënia ndërmjet dy motrave dhe eksplorimi i reagimeve njerëzore përballë sfidave të mëdha. Përballemi me këto sfida apo dorëzohemi? Jemi heronj apo frikacakë? Jemi të devotshëm për njerëzit tanë të dashur apo i lëmë ata në baltë? Autorja i shtjellon këto çështje me finesë zhbiruese dhe zemër të madhe. – Lisa See, shkrimtare

Në këtë roman epik, ngjarjet e të cilit zhvillohen gjatë Luftës së Dytë Botërore, dy motra që jetojnë në një qytet të vogël, kanë qëndrime të ndryshme në lidhje me rreziqet që sjell pushtimi. Të ndryshme në parime dhe temperament, secila prej tyre duhet të gjejë rrugën e vet teksa përballen me çështje morale dhe zgjedhje të rëndësishme. Emocionues, mbushur me aksion, fantastik.” – Christina Baker Kline, shkrimtare

Zbulova se ky roman ishte jashtëzakonisht tërheqës. Një mbrëmje hapa librin me idenë se do të lexoja vetëm disa kapituj, por e pata të pamundur ta mbyllja. Jo vetëm që është një histori emocionalisht frymëzuese me personazhe të përshkruara fare mirë, me të cilët lexuesi fillon të lidhet gjithnjë e më thellë, por është gjithashtu informues historikisht. Lexojeni këtë libër! Do t’ju mbajë të tensionuar duke hamendësuar gjatë gjithë librit për dy motrat, Vianën dhe Izabelën, të dyja gra të reja të guximshme, të cilat bënë atë çka menduan se ishte gjëja e duhur në rrethana shumë të vështira. Sipas fjalëve të Lorens Langerit, historianit dhe akademikut të Luftë së Dytë Botërore, shpesh atyre u duhej të bënin “zgjedhje të pamundura”. – Dr. Miriam Klein Klassenoff, drejtoreshë e Institutit të Studimeve mbi Holokaustin, Universiteti i Majamit

Një ekzaminim i shkruar bukur dhe mjaft prekës i jetës, dashurisë, tmerreve të luftës, dhe mënyrave të ndryshme, me anë të të cilave njerëzit reagojnë ndaj situatave të papërfytyrueshme – duke shtuar barrën e rëndë të mbajtjes së sekreteve. Kjo histori plot aksion dhe emocion me siguri që do të jetë kryevepra e radhës. – Sara Gruan, shkrimtare